Subjektet e TVSH-së, kur duhet të dorëzojnë deklaratat e tatimit mbi fitimin
Ervin KOÇI
Datat 14 dhe 15 prill shënojnë dhe afatin e fundit të dorëzimit të disa deklaratave tatimore për bizneset që janë subjekte të TVSH-së. Sipas kalendarit elektronik të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, mësohet se data 14 prill 2010 është afati i fundit i deklarimit të FDP-së vetëm në mënyrë elektronike, për të gjithë subjektet e TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin, dhe pagesës së TVSH-së për muajin paraardhës (mars). Ndërkohë data tjetër, pra 15 prill shënon dhe afatin e fundit të dorëzimit të deklaratës së akcizës të muajit paraardhës dhe e pagesës së Tatimit mbi akcizën në filialin e bankës përkatëse. Gjithashtu në këtë datë (15 prill) është dhe afati i fundit i deklarimit dhe dorëzimit të deklaratës dhe pagesës së Tatim Fitimit të muajit. Për të gjitha subjektet e interesuara, këto deklarime duhet të bëhen vetëm në mënyrë elektronike sipas udhëzimeve të reja të bëra publike nga DPT-ja. Gazeta “Albania” ka bërë publike edhe në numrat e kaluar taksat dhe formularët tatimor që do të dorëzohen pranë Administratës Tatimore nga subjektet private që janë bërë pjesë e TVSH-së me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Fusha e veprimit të tatimit mbi fitimin
Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen këta persona: a) Personat juridikë dhe ortakëritë e parashikuara në shkronjat “c” dhe “d” të nenit 2 këtij ligji dhe që janë regjistruar për TVSH-në. b) Personat juridikë, ortakëritë të parashikuara në nënparagrafët “iii” dhe “iv” të shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 2 dhe që janë të regjistruar për TVSH-në e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë. c) Çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale mbi biznesin e vogël. Çdo person, sipas kuptimit të ligjit, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur është a bëhet subjekt i tatimit mbi fitimin, ka të drejtë të kërkojë çregjistrimin në çdo kohë, por jo të kalojë si subjekt, që i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale mbi biznesin e vogël.
Detyrimi për të paguar
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Tatimpaguesit jorezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha të ardhurat, me burim në Republikën e Shqipërisë. Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të bilancit dhe të anekseve të tij, që duhet të jenë në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, me dispozitat e këtij ligji, si dhe me aktet nënligjore të nxjerra nga Ministria e Financave për këtë qëllim.
Përjashtimet
Nga tatimi mbi fitimin përjashtohen: a) organet e qeverisjes qendrore dhe vendore; b) Banka e Shqipërisë; c) personat juridikë që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo anëtarëve të tyre; ç) organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre; d) organizatat ndërkombëtare, agjencitë e bashkëpunimit teknik dhe përfaqësitë e tyre, përjashtimi nga tatimet i të cilave parashikohet nga marrëveshje të veçanta; dh) personat e parashikuar në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi. e) fondacionet ose institucionet financiare jo bankare të krijuara ose të transferuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë për qëllim mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive; ë) shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga
“Qendra Kombëtare e Kinematografisë”. Të gjitha subjektet e sipërpërmendura, pavarësisht nga përjashtimi nga pagimi i tatimit mbi fitimin, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe bilancin vjetor, në të njëjtat afate si subjektet, që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin.
Marrëveshja, “Bankers Petrolium” kërkime për naftë në Divjakë
Kompania kanadeze “Bankers Petrolium” që shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës do të kërkojë naftë dhe gaz edhe në zonën e Divjakës. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar me drejtuesin e kompanisë marrëveshjen për kërkime në bllokun “F”. Ai ka deklaruar se prodhimi vendas i naftës është trefishuar gjatë viteve të fundit. “Kompania do të investojë rreth 15 milionë dollarë për kërkim dhe për zhvillim të kësaj zone dhe pastaj gazin apo naftën që mund të nxjerrë aty mund ta përdorë për nevoja të veta apo për nevoja të tregut të gjerë në Shqipëri apo dhe jashtë Shqipërisë. Mua më vjen shumë mirë që bashkë me kompaninë ‘Bankers Petrolium’ kemi arritur pothuajse të trefishojmë prodhimin e naftës në vend në pak vite”,- u shpreh Ministri Prifti. Ndërkohë drejtuesi i kompanisë “Bankers Petrolium” ka garantuar se investimet në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve do të vazhdojnë. Kompania kanadeze ka investuar deri tani një shumë prej 400 milionë euro.
Debitorët e energjisë, OSSH paralajmëron masa ekstreme
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes tashmë i privatizuar nga kompania “CEZ” do të ndërmarrë masa ekstreme ndaj të gjithë abonentëve që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike. Drejtuesit e kompanisë bëjnë të ditur se niveli i arkëtimeve ka pësuar rënie për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve nga konsumatorët. Në fund të vitit 2009 ky tregues arriti në 76.4%. OSSH do tu dërgojë të gjithë abonentëve debitorë një shkresë zyrtare në të cilën renditen masat që kompania do të ndërmarrë në rast se nuk shlyhet borxhi brenda 72 orësh. “Përmes këtij njoftimi ne i sugjerojmë konsumatorit të respektojë afatin që përcakton kjo shkresë zyrtare që do tu dërgohet abonentëve debitorë. Në rast të mosrespektimit të afatit 72 orësh që përcakton kompania, atëherë kjo e fundit është e detyruar të marrë masa ekstreme të cilat janë: Ndërprerja e energjisë elektrike, demontimi i linjës së furnizimit pra lënia pa kontratë furnizimi, njëkohësisht dërgimi në prokurori i të gjitha rasteve të konsumatorëve që rilidhin energjinë elektrike pa miratimin e organeve të OSSH-së”,- shpjegon Oligert Kume, drejtor i projektit të arkëtimeve në OSSH-ë.
Kazanxhi: “Shkarkimi i kryetares së KSHC-së i ligjshëm”
Pas shkarkimit të kryetares së Komisionit të Shërbimit Civil, Mimoza Hysenaj, ka reaguar dje për mediat zëvendëskryetari i këtij institucioni, Kostandin Kazanxhi. Sipas tij me shkarkimin e kryetares është zhbllokuar edhe situata në KSHC-ë, janë ndërprerë konfliktet mes anëtarëve, ndërsa sqaron se puna në institucion i është rikthyer normalitetit. Duke e cilësuar të ligjshëm shkarkimin e kryetares Hysenaj, zëvendëskryetari Kazanxhi, sqaroi se komisioni ka zgjidhur ankesat e prapambetura. Në lidhje me raportin e ish-kryetares Hysenaj, Kazanxhi u shpreh se kjo e fundit jepte vlerësim të njëanshëm.
10 Prill 2010