E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi shpenzon të tjera miliona euro për të sjellë Milanin në Tiranë

Nga Tema

Shqiptarët do të shohin sërish këtë vit ekipin e njohur italian të Milanit në stadiumet shqiptare. Yjet e superpaguar të vendit fqinj do zbresin në vendin tonë, për shkak se Rezart Taçi, pronari i ri i kompanisë ARMO, ka vendosur të paguajë një tjetër shifër astronomike që shqiptarët të argëtohen.

Lajmi për mbërritjen e ekipit të Milanit është konfirmuar nga zv/presidenti i klubit, që është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me kompaninë “Taçi”.

“Ju kërkoj falje, se për shkak të punëve të shumta nuk mund të jem me ju në Tiranë, nga ku kujtoj mikpritjen tuaj të shkëlqyer me rastin e ardhjes sonë të parë për trofeun e parë “Taçi Oil”. Dua t’ju lajmëroj se jemi të lumtur të kthehemi tek ju në vjeshtë, dhe një nga të mërkurat e lira nga kupat e Evropës për të zhvilluar turneun e dytë “Taçi Oil”, - tha Adriano Galliani, zv/president i Milanit.

Taçi

Njeriu që mori kompaninë ARMO, pa paguar asnjë pará, ka futur në krizë një nga bankat e nivelit të dytë në vend për shkak të abuzimeve me paratë e deklaruara me destinacion blerjen e ARMO-s. Gjithashtu, një shkollë private është në krizë për shkak të Rezart Taçi. Punonjësit e “Albpetrol” dhe ARMO-s po vuajnë pasojat e kësaj piramide të re që ka nxitur shteti shqiptar, megjithatë kjo nuk e pengon Taçin që të paguajë 1.7 milionë euro të tjera për të patur ekipin e Milanit në Tiranë. Madje, Taçi e shet këtë gjë për arritje të madhe për Shqipërinë. Kjo për shkak se mbërritja e Milanit në Shqipëri i shërbeu atij dhe për të sjellë për herë të parë pas shumë kohësh kryeministrin në stadium.

“Folëm me zotin Galiani për të parë ato dy projektet që thamë, Milan Park, që do të jetë një aktivitet pa shpenzime për të rinjtë që do të jenë të apasionuar pas futbollit. Gjithashtu, për Milan Junior Camp, po më e rëndësishme për ne është pasja e yjeve të Milanit këtu”, - tha Rezart Taçi, president i kompanisë “Taçi Oil”.

Hipokrizia

Ajo çka bie në sy në këtë spektakël të shëmtuar me pará që janë vetëm të shqiptarëve, është se ai po shitet si një dëshirë e ekipit të Milanit për të luajtur në Tiranë. Një përrallë e tillë nuk besohet nga askush. Futbollistë si Kaka apo Ronaldinho nuk do zbrisnin kurrë në Shqipëri për dashuri ndaj nesh.

“Një ditë pas kthimit Galiani më foli për mikpritjen e jashtëzakonshme në Tiranë. Kjo është nga të paktat raste që kam parë Galianin të vendosur të përsërisë një eksperiencë të tillë, sepse ka gjëra që shkojnë përtej biznesit. Milani me familjen Taçi ka ngritur një marrëdhënie të shkëlqyer”, - u shpreh Daniele Massaro, ish-futbollist i Milanit.

Shuma e jashtëzakonshme që do iu paguhet këtyre futbollistëve mund të përdorej fare mirë për ndërtimin e fushave për të rinjtë apo dhe për bamirësi të tjera. Por spektakli dhe më keq përdorimi politik i këtij evenimenti nga ana e kryeministrit Berisha janë gjëja më e keqe në këtë vend, të mbushur në çdo kënd me lokale lotarish sportive.

Pagesa astronomike

Pak muaj më parë një gazetë italiane shkruante se ishte pikërisht Rezart Taçi i vendit më të varfër në Evropë që ka derdhur në arkën e ekipit të Milanit shumën stratosferike prej 1.7 milionë eurosh për një ndeshje, duke ua kaluar kështu dhe sheikëve arabë.

Blerësi i ARMO-s, që edhe sot e kësaj ditë nuk ka saktësuar ende, nëse ka derdhur ndonjë pará në buxhet të shtetit duke u fshehur pas manovrave të ndryshme, nuk ka kursyer 1.7 milionë euro për të marrë në Shqipëri ekipin e Milanit, duke vendosur kështu një rekord më vete për klubin e kuqezinjve.

Rezart Taçi, i cili solli këtë klub në Tiranë dhe bashkë me drejtuesit e tij ia behu në zyrën e kryeministrit, ka paguar për një miqësore të Milanit më shumë se sheikët arabë apo sesa pasanikët e Gjermanisë dhe Skocisë.

Është e përditshmja sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, ajo që ka publikuar shifrat zyrtare të derdhura në arkën e klubit të Berluskonit për ardhjen në kryeqytetin shqiptar.

Në shkrimin e kësaj gazete, ku publikohen të ardhurat edhe nga turnetë e tjera, shihet se miqësorja e Tiranës mban vendin e parë, pasi ka kontribuar më shumë në rritjen e të ardhurave të klubit italian, duke sfiduar edhe manjatët arabë të naftës, skocezët apo edhe gjermanët.

Pak pas takimit me Tiranën, kuqezinjtë kanë luajtur miqësoren e fundit të sezonit në Katar, ku klubi ka përfituar 1.5 milionë euro, shifër kjo që renditet e dyta pas asaj të Tiranës në klasifikimin e të ardhurave.

Për miqësoren me Hamburgun, e zhvilluar në Dubai, janë përfituar 500 mijë euro, për atë me Hannoverin, 600 mijë dhe 800 mijë në miqësoren e Glasgout.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›