Themelohet fondacioni “Nga Zemra”

“Nga Zemra”, është fondacioni më i ri që është themeluar të enjten në Prishtinë. Themeluesi i këtij fondacioni, Baton Haxhiu thotë se fondacioni ka qëllime humane.
Ai potencoi se me mjetet e fondacionit “ Nga Zemra” do t'u ndihmohet njerëzve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Haxhiu ka vlerësuar se vetëm gjatë një viti vdesin me mija kosovarë nga sëmundjet e zemrës, derisa mjekimi bëhet shpesh herë jashtë vendit. “Kjo vdekje ka një emër të zakontë të dëgjuar aq shpesh. Quhet infarkti i zemrës. Sido që e ka emrin, nga kjo sëmundje vdesin mijëra njerëz në Kosovë. Ata vdesin nga mosnjohja. Vdesin nga mosinformimi. Vdesin nga pakujdesia e institucioneve. Vdesin nga mungesa e edukatës për mjekësinë dhe mjekun. Vdesin nga mjeku dhe mjekësia e dobët. Vdesin nga bindja e thellë e trashëguar se sëmundja e zemrës nuk shërohet dhe nuk të kthen asnjëherë në jetë”, ka shtuar ai.
Sipas Haxhiut, Fondacioni “Nga Zemra” do të bëjë gjithçka që të ndalojë fuqinë e vdekjes përmes atakut të zemrës mbi qytetarët e Kosovës. Me këtë rast është prezantuar edhe një libër me titullin “ Si ta mundim infarktin e Miokardit”.
Haxhiu ka theksuar se qytetarët në nevojë do të ndihmohen përmes krijimit të fondit për shërimin e pacientëve të sëmurë nga sëmundjet e zemrës.