E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet e Gjanicës, studim 6-mujor për lumin

FIER/ Rreth 10 milionë lekë janë akorduar nga bashkia për të studiuar lumin që kalon në qytet

Specialistët, përfaqësues të lartë të bashkisë, si dhe me dhjetëra banorë të lagjeve të përmbytura nga Gjanica në Fier kanë diskutuar rreth projektit prej 10 milionë lekësh të akorduara nga bashkia për studimin e lumit. Drejtuesi i projektit, Fitim Balla, midis të tjerave theksoi se duhen donatorë të fuqishëm për ta rehabilituar lumin Gjanica. Balla ka specifikuar se studimi i lumit ka zgjatur afro 6 muaj. "Studimi i lumit ka dhënë dy zgjidhje. E para, është që të ruhet rrjedha aktuale e tij dhe e dyta ka të bëjë me shkurtimin e kësaj rrjedhe me afro 1,3 km. Studimi është kryer në seksione më të vogla, duke respektuar urbanistikën e qytetit dhe studimin e qendrës së qytetit", tha Fitim Balla. Mësohet gjithashtu se për këtë studim është respektuar edhe gjendja teknike, gjeologjike, topografike dhe hidrike e lumit Gjanica. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Baftjar Zeqaj, kjo konsultë zgjati rreth 2 orë dhe bazuar mbi projektin e miratuar specialistët hodhën piketat e investimeve që kërkon lumi Gjanicë për të qenë funksional brenda kushteve mjedisore dhe për t'u shfrytëzuar nga komuniteti fierak. Lumi jo vetëm që do të përdoret për turizëm, por do të ofrojë një pamje më ndryshe se ajo e ofruar deri më tani. Nga konsulta teknike doli se fatura financiare për ndërhyrjen në lumin Gjanica arrin deri në 60 milionë euro. Sa herë bie shi, lumi Gjanicë përmbyt tregun industrial, dhjetëra banesa, si dhe dyqane e lokale dhe është bërë një gangrenë e vërtetë për të gjithë komunitetin ndër vite.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›