E Diel, 1 Nëntor 2026

Theri 86-vjeçarin në xhami: Po falesha, zëri i mbinatyrshëm më tha vrite

LUSHNJE - Gjykata e Lushnjës la dje në burg 38-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e të moshuarit Shemsi Muça në xhaminë e fshatit Dushk. Ai ka mohuar që vrasja të ketë qenë e paramenduar dhe se gjithçka kishte ndodhur nga një zë i mbinatyrshëm.

Seanca e djeshme u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, për të evituar një hakmarrje të mundshme nga të afërmit e viktimës. Organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurorja Merita Selimi, i kërkoi trupit gjykues masën e sigurisë “burg pa afat”, ndërsa do të hetojë gjatë kësaj kohe për të mbledhur prova shtesë në ngarkim të të dyshuarit.

Prokurorja deklaroi para trupit gjykues se shtetasi Arjan Alla është njohur nga dëshmitarë që e gjetën në vendin e ngjarjes, ndërsa edhe vetë ai ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ndërkohë Prokuroria ka kërkuar po dje që të kryhet një ekspertim psikik për të vërtetuar gjendjen mendore të Arjan Allës, si dhe të dhënat shtesë mbi aktivitetin jetësor e statusin shoqëror që ai ka pasur në Greqi.

Ende nuk është i qartë për motivin e kthimin të tij një ditë para vrasjes në Shqipëri. Mbrojtja e të akuzuarit kërkoi që të merret parasysh fakti që 38- vjeçari e ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër viktimën dhe se nuk ka qenë vrasje e paramenduar. Sipas avokatit, klienti i tij ka probleme të theksuara mendore dhe kjo duhet të vërtetohet me një raport të ekspertëve psikiatër. Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i ka dhënë fjalën edhe të dyshuarit.

“Shkova për t’u falur në xhami dhe nuk kam pasur si qëllim të vrisja askënd. Por në një moment ai më acaroi me pyetje të pavenda. Kjo më acaroi aq sa humba kontrollin dhe më pas e vrava me biçakun e tij. Nuk e di se si ndodhi, por ishte një zë i mbinatyrshëm që më tha ta bëja në atë moment këtë vrasje”. Kështu u shpreh dje në seancën ku do të vlerësohej masa e sigurisë ndaj të arrestuarit Alla. Në ambientet e Gjykatës së Lushnjës nuk ishte i pranishëm dje asnjë familjar i autorit të dyshuar. Edhe nga familja e viktimës nuk pati persona të pranishëm.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›