Thërrasin në mobilizim
Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të aktivizohet për t’i ndalur bisedimet e paralajmëruara me Serbinë si dhe për të kundërshtuar privatizimet e ndërmarrjeve publike.
Kështu, në mbledhjen e jashtëzakonshme organizative të VV’së, të mbajtur të shtunën, është vendosur të kundërshtojnë veprimet e Qeverisë edhe me protesta.
Në emër të VV’së, Sekretari Dardan Molliqaj ka treguar qëllimin e mobilizimit kundër pushtetit.
“Kjo mbledhje ka për qëllim që përballë këtij mobilizimi të pushtetit, të ndodhë një mobilizim i jashtëzakonshëm i të gjitha niveleve të Lëvizjes Vetëvendosje për ta përballuar dhe ndalur këtë projekt, i cili besojmë se do ta dëmtojë Kosovën në të gjitha rrafshet”, ka thënë Molliqaj.
Sipas udhëheqësve të Vetëvendosjes, shteti i Kosovës është i rrezikuar si asnjëherë më parë dhe kërkon masa të jashtëzakonshme mobilizuese.
Duke i cilësuar të dëmshme bisedimet me Serbinë dhe thirrjeve që Qeveria po u bën edhe subjekteve opozitare që të përfshihen në këtë proces, si dhe duke e cilësuar si shumë të dëmshëm procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, Vetëvendosja ftoi strukturat e saj që të mobilizohen kundër këtyre veprimeve të Qeverisë.
Sipas liderit të VV’së, Albin Kurti, bisedimet me Serbinë janë të dëmshme sa edhe privatizimi i ndërmarrjeve publike.
”Qeveria e Kosovës nuk ia ka idenë zhvillimit të vendit tonë, prandaj e shet pasurinë që do të mund të ishte baza e zhvillimit. Dhe, Qeveria e Kosovës nuk ia ka idenë sovranitetit të shtetit tonë, prandaj i shton fusnota pavarësisë, e cila do të mund të ishte baza për sovranitetin. Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore e publike në Kosovë nuk ka qenë ide, por mungesë e idesë së zhvillimit. Njësoj, dialogu e bisedimet me Serbinë nuk kanë qenë ide, por mungesë e idesë së shtetndërtimit”, ka vlerësuar Kurti.
Ai ka treguar se pse Qeveria e Kosovës po merr veprime të tilla në dëm të shtetit.
“Sipër Qeverisë së Kosovës ndodhet protektorati ndërkombëtar, i cili as nuk po përfundon, e as nuk po përmbyllet, por po hyn përbrenda institucioneve të Kosovës. Ky protektorat e ka sjellë paqen pa demokraci, sigurinë pa zhvillim dhe stabilitetin pa liri. Stabiliteti në Kosovë është rehati për burokratët ndërkombëtarë dhe zyrtarët qeveritarë, e kurrsesi për qytetarët e Kosovës. Kemi një Qeveri që është shumë e dobët karshi Serbisë dhe shumë e egër karshi qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Udhëheqësi i Vetëvendosjes ka thënë se situata aktuale nuk është hiq më e mirë se në vitet ‘90, por se ndryshimi është sikur “njeriu kur del prej burgu dhe hyn në spital”.
“Krahasuar me periudhën e okupimit të viteve ‘90, politikisht, shqiptarët e Kosovës kanë bërë kalimin nga burgu serb në spitalin ndërkombëtar. Atëherë ishim të burgosur, ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e përditshme. Subjektiviteti ynë politik nuk pranohej dhe i gjithë populli shtypej. Gjithsesi, nuk lejohej e drejta e vetëvendosjes. Pas çlirimit, dolëm nga burgu, por nuk dolëm në liri, sepse na futën në spital. Tash, në spital, doktorët dhe infermieret nuk na rrahin më, por sërish nuk lejohet e drejta e vetëvendosjes”, ka thënë ai.