E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesari i Shtetit lë buxhetorët pa rroga

Aplikimi i komunikimit “online” me degët në rrethe shkakton vonesa për pagat e marsit

Sistemi i ri i funksionimit të Thesarit të shtetit ka krijuar probleme dhe vonesa në pagesat e administratës në disa qytete të vendit. Sipas filialeve të bankave, anomalitë janë krijuar pas vonesave në kalimin e pagave në sistem, ndërkohë që kanë qetësuar se brenda pak ditësh buxhetorët do të kenë mundësi të tërheqin lekët nëpër bankomate.

Berat

Punonjësit e institucionit të Prefekturës në Berat, si dhe një sërë ndërmarrjesh shtetërore, nuk kanë mundur dot të marrin pagën e muajit mars. Punonjësit mësohet se janë paraqitur pranë bankës ku më parë merrnin pagesën, por nuk kanë mundur ta tërheqin pagën e muajit të kaluar. Ndërkohë, rreth një mijë punonjës në fushën e arsimit kanë tentuar të tërheqin pagat nga bankomatet e bankës, por nuk kanë mundur, pasi nuk janë bërë veprime në numrat e llogarive rrjedhëse. Mësohet se vonesat janë krijuar pas kalimit të pagesave në sistemin “online”, pranë bankës ku bëhej më parë shpërndarja.

Fier

Mosaktivizimi i kartave të bankave ka bërë që rreth 100 policë të Drejtorisë së Qarkut Fier të mos e tërheqin dot pagën e tyre. Edhe pse ata i janë drejtuar bankës me të cilën drejtoria e policisë ka lidhur kontratë për kalimin e pagesave, sërish u është thënë të presin. Bëhet fjalë për rreth 100 uniforma blu të postave të policisë në Patos dhe Roskovec, të cilat janë në varësi direkte nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier. Vonesa e marrjes së pagës nga ana e tyre ka zgjatur për më tepër se 10 ditë.

Nga ana tjetër, burimet zyrtare të seksionit të financave pranë Drejtorisë së Policisë pohojnë se janë në dijeni të problemit në fjalë. “Policët e kanë bërë prezent problemin te ne. Nga informacionet që kemi marrë thuhet se banka është duke përpiluar të dhënat. Problemi është vonuar në zgjidhje, edhe si shkak i ditëve të pushimit të Pashkëve”, kanë thënë për gazetën “Shqip” nga drejtoria e policisë së qarkut. Ndërkohë që me vonesa në paga po përballet edhe administrata shtetërore. Punonjës të prefekturës, qarkut, bashkisë, drejtorisë arsimore, shkollave të ndryshme, si dhe ndërmarrjeve të naftës nuk ka mundur të tërheqin pagat e marsit deri dje.

Sarandë

Janë një radhë institucionesh publike në Sarandë, punonjësit e të cilëve kanë mbetur pa pagat mujore. Pa paga kanë mbetur punonjësit e Bashkisë së Sarandës, ata të institucioneve në varësi të saj, punonjësit e sektorit të arsimit dhe një pjesë e atyre të shëndetësisë. Në filialet e bankave sqarojnë se problemi qëndron në degën e Thesarit në Sarandë, pas aplikimit për herë të parë të komunikimit “online” me bankat, të cilat kanë qenë pushim edhe ditën e hënë, ndryshe nga institucionet e tjera buxhetore që e kishin ditë pune. Në prononcimin e tij, kryetari i degës së Thesarit në Sarandë, zotit Dragush Kasa, tha se ditën e enjte do të mundësohet marrja e pagave nga të gjithë buxhetorët dhe ka dhënë siguri se nuk do të riciklohet e njëjta dukuri edhe në muajt e ardhshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›