E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i energjisë, kush përfiton

Qeveria rrit vlerën mujore nga 500 në 640 lekë për disa kategori sociale

çdo familje shqiptare, e cila trajtohet me ndihmë ekonomike ose ka në përbërjen e saj persona invalidë, tashmë do të kompensohet 640 lekë në muaj për energjinë elektrike që paguan. Vendimi u mor dje në Këshillin e Ministrave përmes një ndryshimi që iu bë vendimit të qeverisë “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”. Nisur edhe nga ankesat e fundit të qytetarëve në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si pasojë e privatizimit të sistemit të shpërndarjes në këtë sektor, qeveria vendosi dje ta rrisë masën e kompensimit me 140 lekë në muaj për çdo përfitues. Nëse më parë, këto familje kompensoheshin me 500 lekë në muaj, tashmë vlera e kompensimit shkon në 640 lekë. “Vendimi përcakton rritjen e masës së kompensimit financiar me 140 lekë në muaj për çdo përfitues, duke e çuar në total masën e kompensimit të energjisë elektrike në shumën 640 lekë/muaj për çdo përfitues, mbështetur në nivelin e ri të çmimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë”, theksohet në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave për vendimin e marrë. Kjo rritje e dëmshpërblimit pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit edhe 2 miliardë lekë të reja, të cilat do të tërhiqen nga buxheti i vitit 2010. Në këtë vendim theksohet edhe një herë se kategoritë që do ta marrin dëmshpërblimin e ri, nuk ndryshojnë dhe mbeten ato që kanë përfituar edhe masën e mëparshme të dëmshpërblimit për energjinë elektrike. Në vendim nënvijëzohet se kategoritë që përfitojnë dëmshpërblimin 640 lekë në muaj, janë ato që trajtohen me ndihmë ekonomike. Po kështu përfituese janë edhe familjet të cilat kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar. Një tjetër kategori përfituese është edhe ajo e kryefamiljarëve që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të punësuar në sektorin publik apo privat. 640 lekë në muaj, sipas vendimit, do të marrin edhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, pa të ardhura. Nga ana tjetër, dëmshpërblimi do të tërhiqet edhe nga familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë, në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat. Pas privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga ana e kompanisë ceke CEZ, janë shtuar edhe ankesat nga qytetarët për sa i përket rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Qytetarët shprehin bindjen se rritja e çmimit të energjisë nga ana e kompanisë shpërndarëse është edhe më e madhe se ajo e deklaruar paraprakisht. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë, Berisha, kishte deklaruar dhe premtuar se do të shikohej mundësia e rritjes së dëmshpërblimit për energjinë për të gjitha ato shtresa të popullsisë, të cilat kishin probleme të mëdha ekonomike dhe vështirësi për të paguar faturat e tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›