E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Think Pink"

17/05/2005  Njerëzorja që i reziston "njësisë kolektive"

Instituti për Arte Bashkëkohore "Exit" në Pejë, ka prezantuar ditën e shtunë ekspozitën "Think Pink", të kuruar nga Edi Muka dhe me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe të huaj, një ekspozitë që do të qëndrojë hapur deri në datën 4 qershor, një ekspozitë që fokuson nënshtrimin e individit apo depersonalizimin e tij në ushtri, por shpeshherë edhe jashtë saj, në forma nga më të ndryshmet

"Futja e frymës kolektive të grupit, ruajtja e nderimit ndaj autoritetit dhe zbatimi i menjëhershëm i urdhrit, janë disa nga objektivat parësore të stërvitjes ushtarake, ushtrimit për veprim. Nën to maskohet nënshtrimi i individit, papajtueshmëria me ç’ka është e ndryshme dhe zëvendësimi i përgjegjësisë vetjake me përgjegjësinë e njësisë ushtarake. Eshtë një metodë tejet e efektshme kontrolli, që përbën themelin e gjithë stërvitjes ushtarake". Ky është koncepti i Shona Illingworth-it, që prezantohet te vepra e saj "Rreshtorja". Përveç qëllimit të praktikimit të rreshtores në ushtri, ajo çka paraqet interes të veçantë në këtë vepër është funksioni që përmbush rreshtorja, që është në thelb të gjithë strukturës së "njësisë ushtarake" që mbështetet në nënshtrimin e individit dhe papajtueshmërinë me të ndryshmen. Shkalla e këtij nënshtrimi është e tillë, saqë rezultatet e arritura janë tejet të frikshme. Madje, vdekjeprurëse. Pikërisht bazuar në këtë koncept, ditën e shtunë, në Pejë të Kosovës, Instituti për Arte Bashkëkohore "Exit" prezentoi ekspozitën "Think Pink", një ekspozitë e kuruar nga Edi Muka. "Ky koncept, në këtë ekspozitë, përbën një pikë kyçe për ne. Në ushtri, para së gjithash, askush nuk lejohet të jetë individ, të vishet si i pëlqen, të veprojë si do, të jetojë si ia ka ënda. Formimi i frymës kolektive të grupit, rregulli numër një, përpara se dikush të fillojë jetën ushtarake në cilëndo armë të ushtrisë, i jepet një uniformë e njëjtë për të gjithë, asgjësim i individualitetit, duke nxjerrë në pah frymën kolektive. Por edhe ruajtja e nderimit për autoritetin, megjithëse "lëkura" është e njëjtë për të gjithë, dallimet e mëdha bëhen nga hollësi dhe shenja fare të vogla. Këtyre shenjave u mungon larmia; vetëm pak fatlumë mund t’i mbajnë ato dhe ata kanë pozitën të përfaqësojnë, të përfaqësojnë autoritetin, pushtetin, urdhrin", shpjegon për "Metropol" kuratori Muka, duke shtuar se një tjetër qëllim i kësaj ekspozite ishte të vinte në dukje edhe psikologjinë e "trupit të njehësuar", e cila rrënon individualitetin dhe e automatizon individin. "Me t’u lëshuar urdhri nga autoriteti, njësia pa dallim duhet të veprojë menjëherë", thekson Muka.

Lojërat virtuale "uzurpatorët" e "padëmshëm" të ekzistencës sonë...

Gati në përmasat e "njësisë", edhe lojërat virtuale, të shumëdebatuara dhe shumëkritikuara, "zaptojnë një pjesë të madhe të jetës sonë", sipas Mukës, i cili është i mendimit se ato "infiltrojnë dhunë të 'të padëmshme' apo të 'dekafeinuar', siç do ta kishte quajtur Zhizheku, jo vetëm në tregjet e pafund të teknologjisë së lartë të botës perëndimore dhe Azisë, por edhe në qoshe të humbura e të papushtetshme si Kosova dhe Shqipëria. Në vështrim të parë duket sikur ka një paradoks të papajtueshëm, të cilin kushdo mund ta konstatojë, pasi bota e lojërave virtuale dhe heronjtë janë individualë, madje dhe ai që luan është individ, pra, shumëkush do të shtronte pyetjen se ç'lidhje ka në këtë rast me 'njësinë kolektive' apo dhe 'nderimin ndaj autoritetit'. Pa dyshim që kjo është një pyetje bishtnuese, por e rëndësishme për t’u kapur pas problemit, fakt që e zgjeron pafundësisht lëmin në diskutim dhe hap një përsiatje të thellë, ku preken shumë më tepër çështje", pohon Muka, duke shpjeguar në vazhdim se të gjithë individët tundohen të bien në rrjetën e një 'njësie kolektive', duke iu bindur një "autoriteti të lartë", një përvoje, që siç ka vërtetuar edhe ajo e viteve të fundit, dikton madje edhe mbi një lloj autoriteti të epërm, si ai ushtarak. "Ky është autoriteti i tregut të korporatave që na hedh hi syve mbi 'individualitetin' dhe natyrën e 'personalizuar' të prodhimeve të ofruara, ndërsa në të njëjtën kohë na shndërron në thërmija të bindura të masës së konsumatorëve që reagon globalisht", shprehet Muka.

"Think Pink", forma "urdhërore" që kërkon bindje

Muka shpjegon se "Think Pink" është një titull që u mendua si më i miri për këtë ekspozitë, i huazuar nga vepra me të njëjtin titull e artistit Sokol Beqiri, vepër që shtjellohej në një zonë gjeografike, e cila jo vetëm është sunduar nga shëmbëlltyra heroike luftëtarësh, aq sa pothuajse duken si shërbime paradoksale të lojërave virtuale, por edhe e tejngopur me pasojat e prekshme të veprimeve reale të këtij lloji "njësish kolektive". Në vetvete, "shprehje 'Think Pink' ka mbi psikikën tonë një goditje të fuqishme pamore, pavarësisht nga sfondi ynë kulturor. Eshtë 'forma urdhëruese' e togfjalëshit që kërkon bindjen e shikuesit-dëgjuesit, ndërsa ngjyresat e fjalës pink, ngjyrë trëndafili, mund të shkaktojnë hutim te dëgjuesi. Besoj se nuk është krejt e rastit, të paktën jo për nën-ndërgjegjen e tij, që Sokoli e krijoi këtë vepër menjëherë pas luftës së '99-ës, e cila shënon fundin e dhjetëvjeçari të tërë dhune. Ai përdor dy elementë kryesorë, bunkerin në shpatin e një kodre dhe shkronjat ngjyrë trëndafili të stilit Hollivud pranë tij. Duket sikur në plan të parë nuk ka ndonjë lidhje me 'njësi kolektive', që i përgjigjet një urdhri dhe një rendi, por edhe kur ndodh kjo, ajo përbën më tepër një bashkim tepër të larmishëm individësh, sesa 'njësinë kolektive' të një grupi. Pas dhjetëvjeçarësh të ankthshëm përkatësie të detyruar, pas përjetimit të vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga njësitë me uniformë të një kolektivi, artisti çliron dëshirën për ndryshueshmëri, nevojën për të zbuluar vetjaken, apo për pak dëfrim, duke ngjyrosur një bunker me ngjyrë trëndafili, si dhe duke shkruar në mënyrë mbresëlënëse mbi shpatin e butë të kodrës, që nënkupton se kishte ardhur koha për 'think pink', apo për të menduar pak rozë", nënvzion Muka, i cili pohon gjithashtu se ky togfjalësh shërben si udhërrëfyes për atë që vizitori mund të shohë në këtë ekspozitë, një anë individuale, njerëzore e "njësisë kolektive" të makinës së luftës. Në këtë frymë vijnë edhe veprat e autorëve të tjerë të ekspozuar në këtë ekspozitë, pavarësisht kombësive të tyre, si Shona Illingworth, Ermelinda Agalliu, Juan Pedro Fabra, Mohammad Hamid, Sokol Beqiri, Alban Hajdinaj, Gentian Shkurti, Jutta Benzenberg Klosi, Henrik Andersson.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›