E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrje për transparencë nga kandidatët dhe baza

Zgjedhjet në PS

Zgjedhjet mbeten sfida e gjithanshme e politikës shqiptare. Ndërkohë që Partia Socialiste është angazhuar tërësisht për transparencën e procesit të 28 qershorit 2009, vetë zgjedhjet e degëve lokale të saj kanë krijuar një situatë të pakëndshme kontestimesh, pakënaqësish, ku nuk kanë munguar akuzat për manipulim. Rasti më i dukshëm është Shkodra, ku procesi ka hasur probleme të tilla sa është vendosur shtyrja e tij për një datë ende të panjohur. Një dorëheqje e një prej kandidatëve pjesëmarrës në garë, Agim Shima, ka paralizuar zgjedhjet, të cilat sipas informacioneve të gazetës “Shqip”, do të presin kthimin në Shqipëri të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për t’u zhbllokuar. Kjo situatë ka lënë aktualisht degët e PS-së të rrethit dhe qytetit të Shkodrës pa drejtues, çka është dëshmi e parregullsive në procesin organizativ. Problemet nuk kanë munguar edhe në rrethet e Pukës dhe Malësisë së Madhe, ku në këtë të fundit nuk ka munguar edhe një incident mes simpatizantëve të dy kandidatëve. Akuzat për mungesë transparence janë lëshuar edhe në Elbasan, rreth i cili ka qenë dëshmitar i një gare të fortë mes ish-deputetit Ndriçim Hysa, kandidatit Astrit Halili dhe garuesit tjetër, Arben Kamami. Një fushatë e ashpërsuar së tepërmi në ditët e fundit të saj, e që në finale ka diktuar kalimin në balotazh. Fitorja e kandidatit Halili ka aktivizuar menjëherë akuzat për influencë dhe ndikim, për të cilat ish-deputeti Hysa ka vënë gishtin mbi kreun aktual të bashkisë, Qazim Sejdini. Me një tjetër natyrë është manifestuar pakënaqësia e socialistëve në Kuçovë, ku është votuar për emra që nuk ishin propozuar nga baza e partisë. Balotazhi që u imponua nga rezultati i parë është dëshmia e dilemave në zgjedhje që karakterizon bazën e PS-së në këtë rreth, që njihet për votën masive majtas. Problemet e evidentuara në këtë rreth, por edhe akuzat apo pakënaqësitë e bëra publike në rrethe të tjera si Vlorë apo Fier, flasin se edhe brenda PS-së çështja e zgjedhjeve ekziston. Ajo priret të përcjellë vlerën e vet reale në procesin elektoral për pushtetin lokal, ku influenca e individëve apo raporti mes interesit dhe rreshtimit politik është gjithnjë në favor të interesit. Rezultati i vitit 2007 flet më së miri për këtë gjë dhe klima e krijuar rishtas me gjasë mund të paralizojë vullnetin e një pjese të mirë të votuesve të majtë. Një tjetër aspekt që bie në sy është ndikimi i të zgjedhurve në pushtetin vendor, që me familjarizimin e strukturave të PS-së sigurojnë një mbështetje për rikonfirmim. Ky është një qendërzim i ri pushteti në selinë rozë, e cila shumë shpejt mund të vihet nga brenda përpara nevojës për të bërë transparencë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›