“Tirana dhe Melburni, së shpejti partnerë strategjikë”
Kryebashkiaku Lulzim Basha takohet me zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles
“Melburni do të jetë një nga partnerët strategjik të Tiranës”. Propozimi për nënshkrimin e një marrëveshje partneriteti strategjik i është përcjellë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nga Zëvendësministri i Jashtëm i Australisë, Richard Marles në takimin e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës.
Në këtë takim Basha dhe Marles diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes kryeqytetit shqiptar dhe atij australian si dhe për nxitjen e investimeve australiane në Tiranë. Bashkëpunimi me Melburnin është shumë i rëndësishëm për Bashkinë e Tiranës, tha Basha, edhe për faktin se 70 për qind e diasporës shqiptare që jeton ne Australi, ndodhet në këtë qytet.
Zëvendësministri i Jashtëm i Australisë, Richard Marles u njoh nga Basha me projektet strategjike si zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe të linjave të tramit.
Marles u angazhua që të nxisë investitorët australianë të shohin Tiranën si një mundësi të mirë për investimet e tyre, sikundër shprehu dëshirën për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Në këtë takim, Basha, është ndalur edhe në potencialin turistik që ka Tirana dhe investimet që parashikohen në këtë fushë. Kryebashkiaku Basha i kërkoi zëvendësministrit të Jashtëm Marles të kontribuojë në nxitjen e turistëve australianë të vizitojnë Shqipërinë duke nisur me Tiranën.