Arvizu: Taksa e sheshtë, tërheqëse për investitorët e huaj

Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu, në një bashkëbisedim me krerët e gjykatave në rrethe u ndal tek domosdoshmëria e forcimit të klimës për investitorët e huaj, duke përmendur taksën e sheshtë prej 10 përqindësh, si një mbështetje e madhe për bizneset amerikane Wollfarth: Partneritet mes institucioneve për reformën në drejtësi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha dje në takimin me kryetarët e të gjitha gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apelit në Shqipëri që u mblodhën për të diskutuar mbi nismat e USAID-it dhe donatorëve të tjerë që synojnë përmirësimin e punës së gjykatave shqiptare, se reforma në gjyqësor është e rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por edhe për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ata gjithashtu kërkuan një administrim më të mirë të sistemit të drejtësisë. Arvizu, deklaroi se sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e gjyqësorit, ndërsa tha se transparenca duhet të dominojë. Sipas tij, aparaturat e regjistrimit garantojnë transparencën. “Më lejoni të shpreh diçka që është shumë e qartë për të gjithë ne, salla e gjyqit ka rëndësi kritike për funksionimin e çdo demokracie. Ajo është vendi ku i varfri dhe i pasuri, i dobëti dhe i fuqishmi takohen në një fushë të barabartë. Është vendi ku qytetarët duhet të kenë besim të plotë se do të marrin trajtim të barabartë dhe të paanshëm sipas ligjit. Në një demokraci, qytetarët kanë nevojë të besojnë dhe të mbështeten në faktin që sistemi gjyqësor është i verbër kundrejt funksionimit të interesave të veçanta, të grupimeve politike, apo fuqisë ekonomike. Sidomos në dy vitet e shkuara, qeveria e SHBA, nëpërmjet USAID, ka punuar në këtë program të posaçëm për të ofruar ndihmë që synon të ndihmojë që gjykatat shqiptare të funksionojnë me më shumë eficiencë, me më shumë transparencë, dhe më shumë llogaridhënie ndaj qytetarëve. Dëshiroj të citoj vetëm tri shembuj kur besoj që po bëhet njëfarë përparimi; dhe kam parasysh përparim për sa i përket ndihmës sonë. Së pari, për të përmirësuar transparencën e procedurave gjyqësore, kemi instaluar pajisje në të gjithë vendin për të siguruar që në çdo rast do të ketë regjistrime të sakta dhe që gjenden lehtë. Së dyti, për të përmirësuar procesin e rregullt ligjor, po vihen në zbatim procedura të reja që synojnë të arrijnë gjyqe më të shpejta, më eficiente dhe më publike; këtu do doja të theksoja fjalën ‘gjyqe të hapura publike’ sepse pikërisht këtë kërkon drejtësia e vërtetë. Dhe së treti, për të lehtësuar barrën mbi sistemin e gjykatave, qeveria e Shqipërisë dhe sistemi gjyqësor kanë mbështetur fort si dhe projektet e USAID kanë përkrahur në mënyrë aktive zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, apo ndërmjetësimin. Këto hapa si edhe të tjera janë absolutisht jetësore për të rritur besimin e qytetarëve dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë në eficiencën e sistemit gjyqësor shqiptar. Nëse më lejoni, do doja të ngrija një pikë të fundit: në një kohë kur i gjithë rajoni dhe një pjesë e mirë e botës po vuajnë nga pasiguria dhe paqëndrueshmëria ekonomike, Shqipëria ka nevojë të bëjë gjithçka mundet për të siguruar besim në transparencën dhe eficiencën e sistemit gjyqësor. Ka rëndësi absolutisht kritike që Shqipëria të bëjë përparim në sistemin ligjor dhe reformat gjyqësore për të rritur besimin e investitorëve tek Shqipëria si një vend për të bërë biznes”, u shpreh Arvizu. Duke folur mbi çeljen e zyrave të kompanisë amerikane 3M, ambasadori i SHBA u shpreh se biznesmenët amerikanë vlerësojnë se taksa e sheshtë (10 për qind), është tepër tërheqëse për investitorët e huaj. Sipas Arvizu, biznesi kërkon forcë punëtore të kualifikuar dhe kuadrin ligjor, dy cilësi këto që Shqipëria i plotëson. “Siç e dini të gjithë, 3M është një ndër kompanitë e radhitura në listën Fortune 500, një ndër më të mëdhatë; është një emër i njohur në gjithë botën për shërbime me cilësi dhe produkte me cilësi. Ishim duke biseduar me disa zyrtarë, investitorë shqiptarë, investitorë të mundshëm, dhe po flisnim për pluset dhe minuset e të investuarit në Shqipëri krahasuar me vende të tjera në rajon. Një prej personave në atë grup vuri në dukje që niveli i sheshtë prej 10 për qind i taksës këtu është shumë tërheqës për investitorët e huaj. Dikush përmendi edhe që qeveria ka ecur shpejt me sistemin e prokurimit on-line, i cili rrit transparencën dhe ul mundësitë për korrupsion. Më erdhi radha mua të flisja. Jam në një mendje me dy pikat e mëparshme por doja të përmendja edhe dy gjëra të tjera. Kam shumë miq amerikanë që janë në sektorin privat dhe në mënyrë të përsëritur më thonë që kur shqyrtojnë mundësinë për të bërë biznes, sidomos në tregje të reja si Shqipëria, ata kërkojnë të gjejnë dy gjëra: së pari, një forcë pune të arsimuar, një forcë pune të tillë ku sistemi arsimor përmirësohet, ku mund të trajnohen; dhe të gjithë e dini më mirë se sa mua që Shqipëria ka një forcë pune shumë të arsimuar, shumë të përkushtuar. Cilësia e punëtorëve këtu është e shkëlqyer. Pika e dytë që shqyrton një investues i mundshëm është kuadri ligjor, mjedisi rregullator; transparenca, paanshmëria, cilësia e sistemit gjyqësor dhe këtu dalim tek roli i secilit prej jush”, tha ambasadori Arvizu. Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi se reforma në gjyqësor është kryereforma për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, institucionet e forta garantojnë shtetin e së drejtës, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të trajtojë seriozisht çështjen e korrupsionit dhe nevojën për të hequr imunitetin. Ndërkohë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth e cilëson reformën në drejtësi si komplekse, për realizimin e së cilës nevojitet një partneritet i ngushtë mes institucioneve. Për Wollfarth, gjykatat duhet të jenë shtyllat e demokracisë në vend, si një faktor kyç për aspiratat e Shqipërisë dhe prospektit për integrimin evropian, si dhe në drejtim të përmbushjes së angazhimeve të OSBE-së. Ambasadori i OSBE-së theksoi se administrimi i drejtësisë meriton dhe duhet të jetë shumë më i mirë. Sipas tij, miratimi nga Qeveria i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2011-2013 dhe Planit të Veprimit, shënon një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ai vlerësoi se rekomandimet e Prezencës, të përfshira në dy raporte të mëparshme mbi vëzhgimin e gjyqeve, formojnë bazën e diskutimeve të tanishme të Grupit të Punës për Reformën e Procedurës Penale që aktualisht punon nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.
...