Thundër liderësh
13/06/2005 Lidershipi apo drejtuesi që është njeriu i aftë për të drejtuar një grup e ka ndikim të madh tek ata, nuk po qënka i aftë të bëjë të lehtë e të kollajshme një takim me lidershipin përballë. Sa larg na qëlluan këto parti, sa u dashkan ceremoni si në kohën e “një mijë e një netëve” kur delegacionet vërtiteshin sa në një mbretëri në një tjetër, duke marrë e duke përcjellë mesazhe! Megjithatë, sot është koha e “një mijë e një ditëve” dhe ka dhe liderë që krijojnë një pushtet pas fronit që drejtojnë dhe komandojnë pa u ndjerë por gjithmonë me sukses. Këtë punë po fillon ta kryejë katërcipërisht, media në këtë gjasë të madhe fushate dhe kronometrash të mbajtur fort. Media dhe mediatorë që kërkojnë dhe shpalosin aftësi për të menaxhuar e drejtuar një takim mes dy liderëve kryesorë të dy partive të mëdha që rrojnë me frikën e fikjes së njera–tjetrës. Po ndezin motorrat mediat vizive të së majtës duke rrëfyer kështu lakminë e madhe dhe magjinë që ka pushteti për ata që e zotërojnë atë. E keqja ka fytyrë të tillë, ka tipare të tilla dhe formë të tillë që të gjitha së bashku emërtojnë dinaken e ligë që nuk është e huaj, nuk është jashtë, ajo është brenda. Fytyra e bukur vjen e duket në ekran. Vërtet e bukur politikesha jonë shqiptare! Tek mediat e së majtës duket përrallore PS-ja. Tek ato të varfërat e së djathtës duket PD-ja. Dhe koha kronometrohet, vetëm koha. Po dukja? Po efekti vizual? Po hipnoza e ficsion-eve politike? Ajo është si monedhat fallco, të shkojnë sa të shkojnë, kujt t’ia ngecë. Dhe asnjë e keqe e huaj nuk e shkatërron një politikë kur vetë e keqja që ajo mbart nuk e shkatërron. Këtë sentencë e di dhe nuk e di një lidership dhe një forcë sado e madhe që të jetë. Përballë njeri - tjetrit liderët kryesorë shikojnë të keqen e tjetrit, e nëse një ditë fjalosen dhe nëse njëra media vizive pretendon se është një lloj Sokrati në këtë zallamahi politike fjalosësish prej budallai, të mirat e tyre harroji, ti, kushdo qofsh që do ta ruash durimin deri sa të zjejë kjo çorbë fjalësh fjalëkryqesh e kriptograme për vendin, kohën, sejmenët që do ta ndjekin këtë takim. Nuk e di, sepse m’u kujtua rrëfimi i nënës sime që kur u takua për herë të parë me tim atë në rininë e tyre, nga pas i ndiqte vëllai i vet dhe ata të dy (nëna e babai im, të fejuar) e gënjenin me një kulaçkë nga ato me ingranazhe që shiteshin vetëm pesë lekë dhe e largonin ose e lutnin të mos rrëfente asgjë. Kush do ta hajë kulaçin kësaj here? Ky problem po zmadhohet kaq shumë, saqë po harrohet kërbaçi i politikës dhe liderit që e ka kamzhikun më të fortë e më kryesorja ai që e ka në dorë. Duke parë të keqen përpara, duke ndërtuar fjalën me të, a do të shikojnë e njohin, nëse e shikojnë urtinë dhe virtytin? Njëri prej tyre e pas tij gjithë liderushët e dhjamosur shumë këto vite brenda portikëve magjepës të syve të pushtetit, nuk kanë si ta njohin as virtytin, as urtësinë, sepse të gjendur gjithmonë mes gostish e kënaqësish, bëhen zevzekë dhe tahmaqarë, vërtiten nga zona e ulët në zonë e mesit dhe nuk e kapërcejnë këtë kufi, nuk i ngrenë kurrë sytë lart, nuk i kanë drejtuar hapat e tyre drejt lartësisë së vërtetë, por duke parë kurdoherë poshtë si kafshët, gjithmonë me turinj poshtë tavolinës për të ngrënë, fëlliqin njëri - tjetrin dhe duke u ngrënë me njëri – tjetrin, kush të marrë më shumë nga këto kënaqësi turren, përplasen dhe vriten midis tyre me brirët e thundrat prej paraje, vetëm për të plotësuar lakminë e tyre të pangopur. Një thundër të tillë ia kanë dhënë si vaj makine televizioneve që po shpërthejnë me gjithë kapacitetin e tyre zhurmues. Po t’i bindej shpirti i kësaj kaste pjesës filozofike, arsyes dhe mirësisë, në të nuk do duket as shenja më e vogël e rebelimit, secila nga pjesët e saj do të respektonte limitet e funksioneve të veta, do të ndiqte rrugën e drejtësisë. Duke patur një lloj fobie nga arsyeja dhe nga e vërteta që vërtitet lakuriq duke bërtitur me sa ka në kokë: “Unë jam e ndershme, por më kanë vjedhur rrobat!”. Politikanët dhe lideri që është në majë të pushtetit e di shumë mirë se është shumë larg ligjit klasik dhe rregullës klasike me të cilën një shtet dhe një lidership konfigurohet. Kur arsyeja është larg, britma kërkon ta zevendësojë atë. E gjithë metafora e kësaj fushate për partinë në pushtet është: “Hapu Sezam!”. Dhe populli do shqyejë sytë para bollëkut, para thesareve që zbulon kjo parti sikur të qe bijë e një ishulli thesarësh. Dhe pastaj del në pah ajo që quhet ndershmëri qytetare dhe pandershmëri po qytetare. Secila prej tyre ka qejfin dhe dukjen e vet, por barku që i lind është njerëzor. Ndershmëria nga pandershmëria dallon në atë që ndershmëria ia nënshtron pjesën prej kafshe të natyrës sonë, pjesës njerëzore, ndërsa pandershmëria vë nën shtypjen e pjesës më të egër, pjesën tonë më të butë, atë njerëzoren e kur nuk i urdhëron dot kafshët që ke brenda vetes i lajkatos ato dhe i llaston ato. Kjo është një lloj lufte apo përkëdhelie e ndyrë që nuk duket as në media, as në takime dypalëshe, as në mitingje. Ajo ka ardhur dhe është rritur në tërë këtë kohë ku njëra palë dhe tjetra tregoi si e ka mbajtur në gji moralin dhe antipodin e tij në gjithë jetën politike. Nuk është problem drejtuesi i një debati mes dy liderëve, nuk është shkak debati as vendi i takimit, por është problem të dallohet tek secili prej tyre ajo ç’ka përfaqësojnë dhe përcjellin, ajo që i ka sjellë deri këtu, politika e grupit që e mbështet, ashtu si nuk është cilësia e keqe e ushqimeve, as pleqësia, as kalbëzimi që për sytë tanë, shkakton në trup të keqen e vet trupit. Ne themi se për shkak të ushqimit vdiq nga e keqja që ishte e vetë atij, nga sëmundja, por ne nuk do të pretendojmë kurrë që trupi që ka natyrën e vet, të vdesë nga cilësia e keqe e ushqimeve që janë të një natyre tjetër, veç në mos qoftë që kjo e keqe e huaj të ketë bërë që të ketë lindur tek ai e keqja që është e atij vetë. Ndaj, le të takohen edhe në perëndim të diellit, si në romanet kalorsiakë, le të hedhin dorashkën e të flasin për të diagnostikuar të keqen që ka natyra e partisë së secilit përfaqësues, të rrëfejnë vaksinën që ka prodhuar trupi i partisë së tyre për të luftuar këtë të keqe dhe të shikojnë një herë të vetme me sytë e popullit, pasi ai edhe kur pëlqen të thojë se është i verbër, shikon më mirë se liderët dhe liderushët. Populli shikon atë që do të shikojë duke zhvilluar kështu shqisën e gjashtë, atë të liderit të vetvetes. Ndërkohë, unë do të shikoja me dëshirë këtë takim, por ka të ngjarë, atë ditë, të kem për të lyer shtëpinë time me bojë të bardhë!