E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet e Gërdecit, tre vlerësues shpërdoruan rreth 7.9 milionë lekë

18/05/2010 Mbyllen hetimet për grupin e dytë të specialistëve që vlerësuan dëmet në Gërdec

TIRANE- Tre vlerësues të dëmeve materiale që erdhën nga shpërthimi i 15 marsit në fshatin Gërdec, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se ata kanë abuzuar me detyrën e tyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar që kap shifrën rreth 8 milionë lekë të reja. Personat e vënë nën akuzë quhen Gëzim Aliu me detyrë punonjës pranë Bashkisë Vorë, Mirela Mazari, studente, specialiste pranë ALUIZNI-t dhe i pandehuri tjetër Lamion Deçka specialist pranë ALUIZNI-t. Sipas Prokurorisë së Tiranës, tre të pandehurit e procedimit penal me nr. 1920/1 kanë abuzuar me detyrën e tyre, duke vendosur vlerësime fiktive për tre banesa, për të cilat akuza pretendon se ka prova për abuzim. Mësohet se shtëpitë e shkatërruara ku të pandehurit kanë shpërdoruar detyrën, janë të banorëve Shkëlqim, Sadik dhe Haxhi Gjikola. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Gjergji Tako, më 22 mars 2008 është kryer vlerësimi i parë i objekteve të dëmtuara nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Prej këtij vlerësimi pati shumë ankesa nga të dëmtuarit dhe për pasojë më 3 prill të po atij viti filloi një vlerësim i dytë. Prej këtij vlerësimi të dytë u vlerësua një masë shumë më e madhe dëmi, dhe për pasojë drejtues të Bashkisë Vorë dhe Ministrisë së Brendshme ngritën dyshimet për abuzim me shifrat. Të ndodhur në këtë situatë, këto institucione kanë kryer kallëzim në Prokurori. Nga hetimet e kryera organi akuzës ka konstatuar se tre të pandehurit Gëzim Aliu, Mirela Mazari dhe Lamion Moçka ishin pjesë e një grupi prej 5 ekspertësh, dhe kishin për detyrë të bënin vlerësimin teknik për 24 objekte të dëmtuara. Mësohet se tre të pandehurit kanë marrë pjesë edhe në vlerësimin financiar të parë, dhe nga krahasimi i vlerësimit u dallua se ata kishin vendosur shifra fiktive me qëllim fryrjen e çmimit të dëmshpërblimit. Sipas Prokurorisë në të treja objektet e sipërcituara ka rezultuar skema e shtimit të shumës së dëmit. Prokuroria tha se banesa e shtetasit Shkëlqim Gjikola është vlerësuar si banesë e shkatërruar plotësisht. Ky koment qëndron edhe në vlerësimin e dytë, por nga ekspertimi me objekt hetimin e çështjes, rezultoi se banesës i janë shtuar 42 m2 sipërfaqe për dëmshpërblim. Banesa e shtetasit Sadik Gjikola është vlerësuar si plotësisht e shkatërruar, që në fakt dëme kishte vetëm në katin e tretë. Ndërsa banesës së Haxhi Gjikolës ju shtuan 42 m2 me qëllim dëmshpërblimin, në një kohë që ajo kishte vetëm disa dëme në katin e dytë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›