E Hënë, 2 Nëntor 2026

Një ditë para përfundimit të afatit,21 për qind e formularëve dorëzohen

24/03/2005  Dështon legalizimi i ndërtimeve pa leje

SHKODËR - Një ditë para mbarimit të afatit të fazës së parë të legalizimeve të zonave informale në qytetin e Shkodrës dhe vetëm 21 për qind e formularëve janë dorëzuar të plotësuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm pranë zyrës së ngritur pranë Bashkisë Shkodër, posaçërisht për këtë proces. Megjithëse ka plot një javë që numri i të interesuarve për dorëzimin e dokumentacionit përkatës, u rrit ndjeshëm, përsëri shifra 728 e dorëzimeve të bëra nga kryefamiljarët është e vogël në krahasim me shifrën 3500 të formularëve të shpërndarë falas nga zyra përkatëse e Bashkisë. Për t’u theksuar është fakti se ky numër i shpërndarjes së formularëve ka mbetur i pandryshuar për pothuaj tri javë, fakt ky që çon në përfundimin e specialistëve të Bashkisë Shkodër, se numri i ndërtesave të paligjshme në këtë qytet është afërsisht sa numri i formularëve të shpërndarë. Punonjësit e zyrës së ngritur për këtë proces shprehen se shifra nuk mund ta japë të saktë numrin e ndërtimeve pa leje, sepse një pjesë e tyre mund të jenë shpërdoruar, apo mund të jenë marrë më tepër për t’i pasur rezervë. Në këtë mënyrë, harta e parapërgatitur për këtë qëllim me të gjitha ndërtesat e Shkodrës, ku do të ngjyroseshin ndërtimet pa leje nuk është plotësuar siç duhet, duke mos i hapur rrugë një procesi të rregullt për të gjithë njësoj, duke e vështirësuar punën e punonjësve për fazën e dytë të këtij procesi, si dhe duke mos ndihmuar në një regjistrim të rregullt të popullsisë, që do të shpinte në çregjistrimet e personave në zonat malore, që në mënyrë të parregullt kishin përfitime edhe në zonat nga vinin, edhe në Bashkinë e Shkodrës.

Fiksohen zonat informale

Megjithatë, një punë e mirë është bërë në përcaktimin e saktë të zonave ku shtrihen ndërtimet informale. Kështu, ndërsa në fillim ishin parapërcaktuar tri zona informale; ish-zona Industriale, ish-Artistikja dhe zona industriale, që të trija këto të ndodhura në periferi të qytetit, si dhe përveç këtyre dihej që kishte edhe ndërtime të tjera informale të shpërndara në hapësirat boshe brenda qytetit, tashmë është shtuar edhe një zonë, zona e Fushë Bunës, si dhe zona e vogël e stacionit të trenit, që ndodhet pranë zonës së madhe informale tek ish-Artistikja. Këto zona e minizona, si dhe ndërtimet e shpërndara parregullsisht brenda qytetit, vërehen qartë nga ngjyrosja e ndërtesave sipas dorëzimit të formularëve të legalizimeve, në hartën e vendosur pranë zyrave të bashkisë, që merren me fazën e parë të procesit të legalizimeve.

Banorët të interesuar për legalizimet

Nga ana tjetër, lidhur me datën 24 mars 2005 si afatin përfundimtar të dorëzimit të dokumentacioneve të plota pranë bashkisë, pra të përfundimit të fazës së parë të procesit të legalizimeve, Nik Deda, banori i minizonës informale, që ndodhet te stacioni i trenit, thotë për gazetën “Metropol” se ka shumë të interesuar për të legalizuar banesat e tyre, por, për shkak të mungesës së parave, nuk kanë mundur të plotësojnë në kohë dokumentet që nevojiten e sidomos skicat dhe hartat e trojeve, për të cilat duhet paguar topografi privat. Përveç këtyre është edhe një pjesë e lëkundur që nuk ka shumë besim te ky proces, sepse e quan si një lojë politike ashtu si të tjerat që janë bërë gjithmonë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Prandaj, për mendimin tim, vazhdon Deda, qeveria në qoftë se do të tregojë seriozitetin dhe kujdesin ndaj qytetarëve të saj, duhet patjetër të shtyjë afatin e përfundimit të fazës së parë të këtij procesi si dhe të ndihmojë financiarisht, ose të bëjë falas skicat dhe hartat e trojeve dhe shtëpive të familjeve të varfëra. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet që të bëhet legalizimi i shumicës së ndërtimeve pa leje. Them shumicës, sepse edhe në fazën kur do të fillojë përllogaritja dhe pagesa e tokës së zënë, përsëri do të hasen probleme rreth kësaj pagese, që për mendimin tim nuk është studiuar siç duhet nga qeveria, përfundon mendimin e tij shtetasi Nik Deda.

728 formularë

të dorëzuar

3500 formularë

të shpërndarë

1000 lekë

çmimi i formularit

3 zona

informale

5 për qind

kanë hipotekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›