Taksat, sherr mes këshilltarëve bashkiakë
24/03/2005 SHKODËR - Pas dështimit të disa ditëve më parë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe debateve që u hapën në lidhje me neglizhencën e këshilltarëve në paraqitjen në një mbledhje të rëndësishme, siç është ajo e diskutimit të realizimit të buxhetit të vitit 2004, më në fund paraqitja e shumicës së këshilltarëve bëri të mundur zhvillimin e saj. Pika më e rëndësishme, që u bë objekt diskutimi, ishte mosrealizimi i mbledhjes së plotë të të ardhurave nga Bashkia dhe krahasimi i shifrave të vitit 2003 me vitin 2004. Sipas shifrave, që u servirën të përgatitura në tabela sipas zërave, doli në pah se Bashkia e Shkodrës gjatë vitit 2004, ka grumbulluar rreth 14 milionë lekë më pak të ardhura sesa në vitin 2003. Sepse nga 42,5 milionë lekë të mbledhura në vitin 2003, vitin e kaluar, pra në 2004 janë mbledhur vetëm 28,5 milionë lekë. Por, ndërsa mbledhja e radhës kishte për qëllim miratimin e buxhetit faktik të Bashkisë së Shkodrës për vitin 2004, këshilltarët e majtë filluan që të analizonin dhe të diskutonin në lidhje me shifrat e paraqitura në tabelat e hartuara në lidhje me buxhetin faktik të 2004. Shifra këto që i përkisnin buxhetit të vitit të kaluar dhe detyra e këshilltarëve ishte t’i miratonin apo jo ato. Kryetari i grupit socialist dega Shkodër, i mbështetur dhe nga këshilltarët e grupimit të tij, sulmuan stafin e administratës së Bashkisë për paaftësi në grumbullimin e të ardhurave nga taksat vendore, në mënyrë që të realizohej plani 100%. Duke analizuar vjeljen e taksave opozitarët e majtë theksuan se është e vërtetë se në disa zëra ka një rritje të vjeljes së taksave në krahasim me vitin 2003, por vjelja e taksës më të rëndësishme, siç është ajo e lejeve të ndërtimit, ku edhe të ardhurat janë më të shumta dhe ndikojnë në realizimin e projekteve të ndryshme të Bashkisë. Kështu, duke iu referuar këtij zëri, ka një diferencë lekësh prej afro 20 milionë, në krahasim me vitin 2003, gjatë të cilit u mblodhën 42,5 milionë lekë, ndërsa për vitin 2004 shifrat flasin vetëm për 13,3 milionë lekë të vjelura nga taksat e lejeve të ndërtimit. Lidhur me shifrat e dhëna, drejtori i zyrës së të ardhurave të Bashkisë Shkodër, Nexhat Grezda, sqaron se arsyeja e grumbullimit të të ardhurave të ulëta nga taksat e lejeve të ndërtimit është si rrjedhojë jo e punës së dobët apo e neglizhencës nga ana e punonjësve të administratës së zyrës së të ardhurave, por nga vonesat në emërimin e pjesëtarëve të KRT-së Bashkisë nga Këshilli Bashkiak. E të njëjtit mendim është edhe nënkryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila gjatë mbledhjes ka sqaruar këshilltarët e majtë se numri i ulët i mbledhjeve për mungesë të vonesës së zgjedhjes së kryetarit të KRT-së ka ardhur për mungesë edhe të paraqitjes së këshilltarëve në seancat e planifikuara. Gjithashtu fillimi me vonesë i punës së kryetarit Haxhi si pasojë e procesit të zgjatur të zgjedhjeve që sollën dhe miratimin me vonesë të buxhetit të vitit 2005 janë arsyet e mos arritjes së mbledhjes së të ardhurave. Por ajo që është për t’u theksuar është se shkaktarë për vonesën e plotësimit të KRT-së deri në shtator janë vetë anëtarët e Këshilli Bashkiak dhe jo si pretendohet se fajin e ka administrata e Bashkisë. Përveç saj, lidhur me mosvjeljen e të gjtha taksave të parashikuara, këshilltarët e djathtë nxorën si faktor edhe mungesën e energjisë elektrike që është bërë faktor në falimentimin e bizneseve në Shkodër, gjë që shpie në uljen e pagimit të taksave nga tatimpaguesit, në krahasim me vitin 2003.