E Diel, 1 Nëntor 2026

Thyhet heshja kulturore në kryeqytet

Autori i Lajmit: red.
Ndërkohë që të gjitha institucionet kulturore kanë mbyllur dyert nën justifikimin e pushimeve sezonale, jeta artistike në kryeqytet pothuajse mungon. Janë të pakta aktivitetet që zhvillohen në metropolin shqiptar, edhe pse artistët janë pozicionuar në qytetet bregdetare për pushime, apo edhe për të punuar pasi aty mund të fitojnë shumë. Ndërkohë në Fier dhe Vlorë një festival i trupave teatrore ka vendosur të mos e braktisë publikun por ta argëtoje me teatër. Festivali “Vera e Adriatikut” që ka filluar prej disa ditësh ka bërë një devijim duke propozuar komedinë “Lufta Iliro-Romake” për publikun e Tiranës e cila vjen nga teatri “Oda” i Prishtinës. Ndërkaq aktorët e teatrit “Oda” të Prishtines sollën mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombetar me një komedi therëse që ndonëse me një titull historik nuk ndalet shumë në historitë antike por e vë theksin tek e tashmja dhe e ardhmja e popujve të Ballkanit. Ndërkohë axhenda e Festivalit “Vera e Adriatikut” do të vijojë të jetë e ngjeshur edhe gjatë muajit gusht për t i ofruar pushuesve edhe një alternativë kulturore përveç plazheve dhe restoranteve. Lufta Iliro-Romake është një komedi e stilit “Monty Python Flying Circuses” e cila trajton një pjesë të aktualitetit tonë por nga perspektiva antike. Kjo shfaqje është njëfarë vazhdimësie e komedisë “Tre gjermanët e trashë ” për sa i përket stilit të lojës dhe humorit. Aktorët që luajnë në këtë pjesë janë: Naser Rafuna, Ard Islami, Adrian Morina, Lirak Çelaj, Flutura Zeneli dhe Besfort Daka.

Aktivitetet artistike gjatë verës, vetëm projekte
Në muajt e verës atmosfera që të ofron kryeqyteti shqiptar, nuk është aspak e këndshme dhe e larmishme me aktivitete kulturore. Në vende të tjera të botës gjatë sezonit veror, zhvillohen dendur veprimtari kulturore, që veç të tjerash, kanë për qëllim edhe tërheqjen e turistëve, edukimin dhe argëtimin. Por në kryeqytetin shqiptar ndodh krejt e kundërta. Këto ditë jeta kulturore në kryeqytetin shqiptar është “paralizuar”, pasi nuk ofrohet asnjë aktivitet për banorët, të cilët mes vapës dhe zhurmave të makinave nuk kanë me çfarë të argëtohen tjetër në këtë sezon veror. Ndërkohë që Ministria e Kulturës vazhdon të mos ketë gati asnjë projekt kulturor për muajin gusht. Nga zyra e shtypit e kësaj ministrie mësohet se akoma nuk është mbledhur bordi, për të vendosur për zhvillimin e projekteve kulturore. Megjithëse më parë ishte pohuar se gjatë sezonit veror do të organizoheshin aktivitete kulturore, akoma nga MTKRS nuk bëhet e ditur asnjë plan për zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Plazhi dhe pishinat janë e vetmja mundësi për banorët e kryeqytetit, për të kaluar ditët e nxehta të verës. Por për një pjesë të madhe të banorëve, që nuk i kalojnë këto ditë në plazh apo pishina, kryeqyteti shqiptar nuk ofron asgjë. Sezoni artistik në institucionet kulturore që janë në varësi të MTKRS ka mbaruar dhe tani ata janë në pritje të fillimit të sezonit tjetër, që të nisin aktivitetin e tyre. Por më tepër se institucioneve kombëtare kulturore, ndryshimi i mentalitetit dhe gjendjes aktuale në kryeqytet duhet t i interesonte Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, të cilat deri tani nuk po tregojnë se janë të interesuara që të zhvillojnë një jetë kulturore të larmishme në kryeqytet. Por, edhe kur janë organizuar ato pak veprimtari kulturore, kanë qenë më së shumti iniciativa private që janë mbështetur nga këto dy institucione. Nëse shkon në drejtoritë përkatëse të tregojnë se kanë projekte që presin të miratohen, por derisa të miratohen këto projekte, banorëve të kryeqytetit nuk i ofrohet asnjë aktivitet kulturor gjatë këtyre ditëve.

Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›