Loja e sigurimeve, kush pi duhan merr pension më të lartë
• Kompanitë e sigurimeve në Britani kanë gjetur një mënyrë të re për të tërhequr sa më shumë klientë e për të mundur kështu konkurrencën. Oferta e re përfshin pensione më të larta për duhanpirësit. Kjo nuk është aspak një publicitet pro përdorimit të duhanit, por një gur loje i përdorur mjaft mirë nga kompanitë. Duhanpirësit ata nuk pritet që të jetojnë kaq gjatë. Kompania “Partnership” ka oferta më të mira për personat që i kanë mbushur të 50-at dhe kanë pirë të paktën 10 cigare në ditë gjatë 10 viteve të kaluara. “Partnership” pohon se duhanxhinjtë trajtohen padrejtësisht nga firmat e tjera, pasi marrin të njëjtin pension si ata që nuk pinë duhan, edhe pse vdesin më shpejt. Një duhanpirës që do të përfitojë nga oferta e re do të marrë një pension 30 për qind më të lartë se ai që i paguhet një jo-duhanpirësi, pasi do të zgjasë për një kohë më të shkurtër. Jetëgjatësia e një duhanpirësi në Britani është gjashtë në tetë vite më e ulët se ajo e një personi që nuk pi duhan.