E Shtunë, 31 Tetor 2026

“T’i kthejmë qytetit dinjitetin”

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist Edi Rama i premtoi banorëve të Bulqizës se pas 28 qershorit do t’u kthejë dinjitetin e munguar. Rama ka bërë apel për të votuar një politikë të re, e cila do i japë fund varfërisë, papunësisë dhe kushteve çnjerëzore të punës, do rikthejmë premtoi ai jetesën me punë të ndershme në këtë vend. “Unë nuk e kërkoj votën tuaj për ta marrë shtetin dhe për ta kthyer nga një vegël të demokratëve, në një vegël të socialistëve, për të bërë me fëmijët dhe prindërit e këtij vendi kopetë e mitingjeve të ardhshme. Unë e kërkoj votën tuaj, që së bashku të ndërtojmë një shtet të të gjithë qytetarëve, të ndërtojmë një shtet përtej të majtës dhe së djathtës, të ndërtojmë një shtet që u jep ujë e drita, punë e siguri të gjithëve, sepse të gjithë e kanë të drejtën e të jetuarit denjësisht, e të jetuarit lirisht, e të jetuarit të pavarur nga opinionet e tyre dhe njëkohësisht të pacenuar në dinjitetin e tyre”, tha Rama. Bulqiza është një nga qytetet që kreu socialist ka shkelur më shumë gjatë këtyre katër viteve. Është e disata herë që unë vij këtu në Bulqizë, ku kam qenë në ditë të vështira, që ju i keni kaluar shpeshherë në 4 vitet e fundit, për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes dhe cinizmit të kësaj qeverie, e cila i ka kthyer shpinën Bulqizës. Për fat të keq ajo është zgafella e fatkeqësive të njëpasnjëshme, e mbijetesës së stërmundimshme dhe e një korrupsioni të cilit ne do t’i japim fund në 28 qershor”, tha Rama. Sipas tij, qëllimi i takimeve të tij me banorët dhe minatorët e Bulqizës ka qenë njohja dhe zgjidhja e problemeve që ata kanë ndër vite. “Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë minatorët e Bulqizë, të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, por jo për t’i parë, por për t’i ndryshuar ato kushte, me qeverinë që do ta vendosim në dispozicionin tuaj”. “Ja u kërkoj votën për secilin prej jush, tha Rama, sepse dua që Bulqizës ne t’i kthejmë shpresën, që Bulqizës ne t’i kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur 18 vjet me radhë, që Bulqizës ne t’i kthejmë punën e ndershme, por njëkohësisht edhe të sigurt, që Bulqizës ne t’i kthejmë gjithçka që i duhet. Unë jam shumë mirënjohës edhe një herë tjetër ju falënderoj, sepse më keni dhënë mundësi të njoh një Shqipëri që nuk shikohet nga kutia e televizorit, të njoh një Shqipëri që vuan çdo ditë. Unë dua dhe besoj se mund ta transformojmë së bashku”. Kreu socialist dënoi politikën e vjetër që ka lënë vendin e begatë të prapambetur. “Ne shqiptarët mund të bëjmë në këtë atdhe, në të cilin Zoti i ka falur gjithçka për të qenë i begatë, vendin e ëndrrave dhe shpresave tona, vendin ku fëmijët tanë mund të rriten të qetë dhe mund të mos vuajnë më kurrë urie, për libra, mësues dhe të mos vuajnë më kurrë për një të ardhme të cilën për 18 vjet me radhë ua ka mbyllur politika e vjetër e së shkuarës”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›