E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozet e Bajernit te kenaqur nga skuadra e tyre e zemres

Skuadra bavareze dhe tifozët e saj me të drejtë janë në qiellin e shtatë. Po aq sa ishin golat e shënuar ndaj Bazelit në ndeshjen e dytë të turit të dytë të Ligës së Kampionëve, me një fitore-rekord në këtë fazë të Champions-it. Futbollistët e Bajernit u stërvitën me qetësi dhe krejt të çliruar pasi objektivi u realizua madje me tepri të jashtëzakonshme.
Tifozë të shumtë kishin udhëtuar edhe me qindra kilometra për të parë skuadrën e tyre të zemrës, ndërsa e ndoqën atë edhe në stërvitje. Lumturia e tyre është e plotë.
“Ndeshja ishte fantastike. Ne udhëtuam 780 km nga Rostoku për në Mynih, ndërsa mendonim për ndonjë fitore të vështirë. Kurrë nuk e kishim imagjinuar se Bazeli do të mundej në atë mënyrë. Një rezultat i tillë zakonisht të jep finalen, nëse je me fat”.
“Ajo që ndodhi dje ishte e jashtëzakonshme. Mario Gomez shënoi sa herë që pati mundësi. Riberi është klas botëror. Nuk mendoj se mund të luhet më mirë se kaq dhe nuk duhet t’i frikësohemi kujt”.
Bajerni përgatitet për ndeshjen e radhës në Bundesligë në fushën e Hertës, ndërsa mundësia për të fituar titullin edhe në Gjermani, edhe në Europë, ekzston e paprekur. Gjithsesi, shumë do të varet edhe nga shorti i çerekfinaleve në Champions.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›