E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana gjysmefinalistja e pare e Kupes se Shqiperise ne futboll

Ka pasur një ekip të kualifikuar në njërin grup, një barazim kryesuesish në grupin tjetër dhe dy rezultate jashtë fushe që të habisin në ndeshjet e pesta të Kupës së Shqipërisë. Tirana është gjysmëfinalistja e parë, ndërsa i mjaftoi vetëm një barazim 1-1 në fushën e vet ndaj Bylisit në grupin A. Madje ishte një takim ku miqtë kaluan në epërsi me Abazajn dhe Aziri barazoi më pas për Tiranën.
Rezultati më i thellë dhe ndoshta ndeshja më e vërtetë u luajt në Vlorë, aty ku Flamurtari u hakmorr thellësisht ndaj Skënderbeut duke e mundur 3-0. Pero Pejiç shënoi golin e parë për vlonjatët në pjesën e parë, ndërsa Veliu e Progni thelluan epërsinë në 20 minutat e fundit të përballjes. Ky rezultat bëri që në krye të grupit B të dalë Flamurtari me golaverazh më të mirë sesa kampionët, ndërsa dy ekipet kanë nga 8 pikë. Po në grupin B, shpresa kualifikimi ka edhe Vllaznia, ndonëse shkodranët u mundën 1-0 jashtë fushe ndaj Laçit. Shkodranët dhe kurbinasit kanë nga 5 pikë.
Duke u kthyer në grupin A, Kastrioti fitoi 2-1 në fushën e Kamzës duke u ngjitur në vendin e dytë me 7 pikë ndaj 6 të ballshiotëve. Në ndeshjet e fundit, në grupin A luajnë Kastrioti-Tirana e Bylis-Kamza, ndërsa në grupin B janë përballë Skënderbeu-Laçi e Vllaznia-Flamurtari. Takimet do të luhen më 4 prill.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›