E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e Marsejës: Cana është i paprekshëm

Lorik Cana, kapiteni shqiptar i të vetmit klub francez që ka fituar Ligën e Kampioneve, Olimpikut të Marsejës, ishte në "skanerin" e tifozëve të klubit më popullor në Francë. Rezultatet u publikuan në një nga portalët që mbështesin ish-klubin e Frenk Riberisë. Gjithmonë luftarak, me shpirt të madh gare, por edhe si një shembulli i mirë humanizmi, shqiptari ka fituar një personalitet të diskutueshëm në një nga tifozeritë më "egra" të vendit transalpin. Shiriti i kapitenit i ka dhënë një autoritet në kampionatin e pestë më të fortë në botë. "Stili i lojës së tij u pëlqen shumë tifozëve, të cilët pëlqejnë lojtarët që kacafyten edhe për një top të rëndomtë në mesfushë", - shkruan faqja franceze lephoceen.fr. "Serioz, Cana e ndihmoi ekipin e tij në periudhën më të keqe. E vetmja e keqe e tij janë kartonët, por ai ka ditur të tregohet një kapiten i madh. Lorik është një lider i këtij ekipi", shkruhet më tej. "Gerets e di tani se mund të llogarisë në qendër të mbrojtjes, shqiptari që do të festojë pas disa javësh 25-vjetorin e tij (27 korrik). Trajneri belg dëshiron të përdorë të gjitha kapacitet e kapitenit të tij gjatë lojës".
Po c'thonë tifozët për Lorik Canën. Cili është opinioni i tyre për shqiptarin e shndërruar në një idhull në një nga qytetet më kozmopolite të botës?
SHPIRTI I EKIPIT - Superlativat për ish-lojtarin e Paris Sën Zhermenit nuk mungojnë: "Është kapiteni, padroni dhe shpirti i ekipit. Është i domosdoshëm. Disa klube të mëdha si Reali i Madridi e kanë në listat e tyre. Aq më mirë",- shkruan "Pedromieo". "Ai qëndron një titullar i fortë".
BESNIK I MADH - Me të njëjtat nota pozitive për Canën flet edhe tifozi i identifikuar si "Romino.om": "Ai ka luajtur gjatë gjithë sezonit. Edhe kur nuk ka qenë mirë, ai ka luajtur. Lojtarë si Lorik Cana janë shumë ta rrallë tani në futboll; futbollistë shumë të mirë e që i qëndrojnë besnik klubit. Cdo vit ka zëra për transferimin e lojtarëve. Por, Cana nuk ka qëllim që ta largohet. Është një lojtar që peshon shumë, në lojën fizike dhe në polivalencën e tij".
I PAPREKSHËM – "Cana është i paprekshëm. I palëvizshëm. Edhe kur shqiptarit, i duhej të përshtatej me rolin e një qendërmbrojtësi, ai arriti t'ia dilte mbanë", - jep komentin e tij "Kaiser sauzee". "Nëse do të duam të kemi një ekip të madhe te Olimpiku i Marsejës, Lorik Cana është guri i parë i kësaj ndërtese".
KAPITEN I VERTETE - "Cana, respekte kapiteni im!", - shkruan tifozi "Haroldinho". "Lorik Cana është lojtari më i mirë i klubit. Është një lojtar polivalent, një rikuperues me kualitet. Është mbi të gjitha një lider i klasit të madh. Kurajoz, luftarak, i matur, një kapiten i vërtetë.
TITULLAR KONSTANT - "Lorik Cana është një nga titullarët e ekipit të Olimpikut të Marsejës. Edhe pse nuk bëri më sezonin më të mirë të tij te Marseja, ai mbetët një nga më konstantët dhe një prej atyre që prekin të gjithë fushën", - shkruan tifozi i identifikuar me nikun "GabriHell". "Megjithatë, unë mendoj se duhet të rigjejë vendin e tij në mesfushë, përpara mbrojtjes. Ai bën shumë gabime dhe ndërhyn keq ndaj sulmuesve kundërshtarë. Ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë të sezonit të kaluar, por kjo nuk do të thotë se ai ka qenë një mbrojtës i mirë në nivelin e Zubarit, Zhivesë apo ndonjë tjetër. Duhen blerë dy qendërmbrojtës me eksperiencë dhe Lorik Cana të vendoset në fushë".
Skeda: Lorik Cana
Datëlindja: 27.07.1983
Vendi: Prishtinë
Kombësia: Shqiptare
Gjatësia: 1.86 m
Pesha: 80 kg
Roli: Mesfushor
Fillimi i kontratës: 24.08.2005
Fundi i kontratës: 30.06.2012
Sezoni 2007-2008
Ndeshje të luajtura: 48
Minuta të luajtura: 4279
Bilanci kolektiv: 20 F, 13 B, 15 H
Bilanci individual: 11 kartonë të verdhë, 3 gola, 2 asistë
Nota mesatare: 5,91
Ndeshja më mirë: OM-Monako 2-0, Nota: 7,90
"Mbretëror. Shqiptari ishte më të vërtetë në një mbrëmje të mirë. Shumë efikas në rikuperimin e topave, ai mbretëroi në mesfushë. Shënoi një gol me kokë pas goditjes së këndit të Zendenit"
Ndeshja më e keqe: Karkefu-OM 1-0, Nota: 3,90
"Hyrja e tij në pjesën e dytë në rolin e një qendërmbrojtësi në vend të Fati nuk e ndryshoi aspak situatën. Ndërhyrjet e tij ishin shumë mesatare dhe aspak precizë. Zhgënjyes".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›