Euro 2008. “Top e Flops”, kulmet dhe dështimet

Ndërsa përfunduan ndeshjet e xhiros së parë në katër grupet e Kampionatit Europian, e filluan të dytat, specialistët e futbollit kanë bërë edhe bilancin e parë. Cila është ndeshja më e mirë? Cili lojtar ka shkëlqyer? Kush ka zhgënjyer? Cila skuadër ka bërë një paraqitje të dobët. Në fakt, të gjitha përshtypjet i shoqëron një nuancë subjektivizmi, por në "vija të trasha" gjykimet e përfundimet janë të pranueshme.
NDESHJA MË E MIRË
Pa asnjë kundërshtim, më e famshmja e Euro 2008, është ajo Spanjë-Rusi (4-1). Një ndeshje e luajtur nën shi dhe me një freski relative, që dukej se u jepte krahë lojtarëve. Spanja harxhoi të gjitha "gjylet", por edhe Rusia pati një numër të madh rastesh. Rusët u treguan shumë naivë në fazat përmbyllëse, por me shpirtin që tregoi formacioni i Gus Hidink mund ta kompensojë gjatë zhgënjimin në ndeshjet e ardhshme.
NDESHJA MË E KEQE
Të gjithë janë unanimë. Është Francë-Rumani (0-0). Një ndeshje pa gola, por më e keqja me vetëm një gjuajtje në portë në 90 minuta. Një Francë konfuze në sulm kundër një Rumanie me dhjetë lojtarë në mbrojtje. Për të dytën herë rresht në një kompeticion të madh, Franca nuk është në gjendje të shënojë një gol në ndeshjen e parë të saj. Të gjithë shpresojnë, që Franca të ndryshojë kundër Holandës, por nëse humbet. "Adieu Euro 2008".
EKIPI MË I MIRË
Holanda na kujtoi në ndeshjen kundër Italisë, atë Holandë të madhe, fituese të Euro 1988 dhe nënkampione e botës në vitin 1974 dhe 1978. Fitorja 3-0 kundër kampionëve të botës në fuqi, Italisë, ishte thjesht historike. Ajo i vendosi hplandezët si favoritët kryesorë të kompeticionit, madje më përpara se Gjermania, Portugalia e Spanja.
LOJTARI MË I MIRË
Falë tre golave të shënuar kundër Rusisë, sulmuesi spanjoll David Vija ka bërë edhe përshtypjen më të madh qysh nga fillimi i Kampionatit Europian. Është lojtari i parë që shënon 3 gola në një ndeshje Kampionati Europian, qysh kur Patrik Klajvert e bëri këtë në Euro 2000. Partneriteti i tij me Fernando Torresin ishte thjesht eksploziv dhe "El Nino" mund të vendosë edhe një rekord për ndeshjet e Europianit, të paktën për Spanjën.
LOJTARI MË I KEQ
Lista mund të jetë e gjatë. Mjafton të shohësh formacionin francez e mund të kesh gati një ekip të tërë. Gjithsesi një më i keq ekziston. Zgjedhjet mund të ishin të shumta. Por, paraqitjen më katastrofike ishte ajo e italianit Marko Materaci në ndeshjen kundër Holandës. 35-vjecarit i ka humbur shpejtësi, në raport me "shigjetat portokalli". Me të vërtetë ishte sinjali më i qartë i fundit të "Matrix" me ekipin kombëtar.
ZBULIMI MË I MIRË
E vështirë, por e mundur për të thënë një emër. Zbulimi i këtij kampionati ishte mesfushori holandez Orlando Engelar. Kreu një punë të jashtëzakonshme kundër Italisë. Një lloj Patrik Vieira, por në version "xhunjor". Në bashkëpunim me mesfushorin De Jong, thuajse i nxorrën jashtë loje Pirlot e Gatuzot e Italisë.
ZBULIMI MË I KEQ
I tejpritur me kuriozitet nga e gjitha bota, Benzema i Francës ishte një hije në ndeshjen kundër Rumanisë. I konsideruari si "Zidani i ri", djaloshi i përkëdhelur i Olimpikut të Lionit nuk arriti të "ndezë" në ndeshjen e parë të këtij Europiani.