E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozet e Realit te Madridit do jene sot ne krah te trajnerit Murinjo

Sulmet nga të katër anët nuk i kanë munguar, por pikërisht në një nga momentet më të vështira të karrierës, atij i vjen një mbështetje tepër domethënëse. Zhoze Murinjo besohet se do ta ndjejë sonte në orën 22:30 gjithë nxehtësinë e tifozëve të Realit të Madridit, kur skuadra e tij të luftojë për Trofeun “Bernabeu” përballë Galatasarajit po në stadiumin “Bernabeu”.

Tifozët e Realit, sidomos ata më të zjarrtit, kanë premtuar mbështetje për ekipin dhe sidomos për Murinjon, ndërsa kanë kërshëri të shikojnë disa nga blerjet e reja siç është turku Nuri Shahin.

Besohets e mbështetja për Murinjon do të shfaqet me anë të këngëve, por edhe banderolave në “Bernabeu”, ndërsa trajneri portugez ndodhet në vështirësi pas kritikave nga jashtë dhe nga brenda klubit për sjelljen e tij në përfundim të ndeshjes së dytë të Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”.

Zyrtarisht, Reali nuk ka dalë kundër trajnerit të tij, por presioni është i madh dhe është treguar edhe nga mediat e Madridit.

Vetë Murinjo është shprehur se është krejtësisht i sigurt se nuk do të largohet nga posti i tij, as nuk do të shkarkohet, ndërsa zëdhënësi i tij, Parames, i ka dalë përkundër zërave se trajneri nuk gëzon mbështetjen e legjendave të tilla si Butragenjo apo Zidan.

Së fundi, Federata Spanjolle e Futbollit do të hapë hetim për portugezin dhe për zv. trajnerin e Barcelonës, Tito Vilanova, për incidentin e shëmtuar që ndodhi në “Kamp Nou” në përfundim të ndeshjes së Superkupës fituar 3-2 nga Barça ndaj Realit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›