E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët e Tiranes kërkojne masa drastike

As periudha festive nuk i fsheh problemet e Tiranës. Përkundrazi, duke “shfrytëzuar” Kurban Bajramin (Bajramin e Vogël), tifozët bardheblu i kanë treguar qartë presidentit Refik Halili pakënaqësitë e tyre.

Rezultatet e dobëta (vetëm një fitore përballë Lushnjës në shtatë ndeshjet e fundit), loja aspak bindëse dhe diferenca prej 4 pikësh nga Vllaznia kryesuese kanë bërë që 23 herë kampionët të jenë në krizë.

Për të ndryshuar situatën dhe për të rikthyer skuadrën në “binarët” e duhur, mbështetësit kryeqytetas kërkojnë marrjen e masave drastike.

Ndërkohë që drejtuesi i skuadrës ndodhej duke festuar Bajramin, në celularin e tij ka mbërritur një mesazh që tregonte zemërimin për momentin negativ të Tiranës. “Mos bëj kurban delet (duke iu referuar traditës së festës së djeshme), por bëj kurban ato ‘delet e zeza’ që ke në skuadër”, ishte teksti i sms-së.

Asnjë emër konkret nuk është përmendur, edhe sepse tifozët pretendojnë se presidenti Halili e ka të qartë se cilët janë elementët problematikë në kontingjentin bardheblu. Ata kërkojnë largimin e këtyre futbollistëve që prej merkatos së janarit dhe afrimin e emrave të rinj, në mënyrë që Tirana të pretendojë deri në fund fitimin e titullit kampion.

Ndërkohë, edhe pse nuk është komunikuar zyrtarisht, gjatë ditës së sotme pritet një analizë urgjente mes drejtuesve, stafit teknik dhe lojtarëve.

Barazimi në derbin me Partizanin shkaktoi mjaft probleme brenda skuadrës. Kjo, jo vetëm për faktin se bardheblutë humbën 2 pikë dhe i lejuan Vllaznisë së Agim Canajt të shkëputej. Trajneri Blazhe Slishkoviç akuzoi lojtarët se me paraqitjen e dobët nuk e nderuan fanellën, ashtu sikurse bënë rivalët e tyre në fushë.

Madje, ka qenë vetë tekniku kroato-boshnjak ai që hodhi idenë e një mbledhjeje urgjente për të diskutuar rreth krizës dhe për të gjetur mënyrën që skuadra të rikthehet te fitorja.

Problemet kryesore në kampin bardheblu vlerësohen mungesa e një fantazisti të mirëfilltë, edhe sepse rikuperimi i kapitenit Devi Muka nuk ka ecur sipas parashikimeve dhe gjetja e një tjetër sulmuesi që e njeh portën, për të luajtur përkrah Migen Memellit. Sipas gjasave, në merkaton e dimrit, mbrojtja e Tiranës do të përforcohet me “veteranin” Nevil Dede.



AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›