Tifozët korçarë të shumtë kundër Laçit
Të ekzaltuar për vendin e parë të Skënderbeut të tyre, tifozët korçarë pritet që të jenë vërtet të shumtë në numër sot kundër Laçit, në ndeshjen e fundit të javës së 29-të të superligës shqiptare. 12 mijë biletat e nxjerra në shitje nga klubi bardhekuq, kanë avulluar në pak orë, duke premtuar kështu për një atmosferë të zjarrtë ndaj një kundërshtari që në këtë sezon ka shfaqur një futboll racional, sikur është formacioni kurbinas. Në fakt, stadiumi “Skënderbeu” është edhe më i populluari në Shqipëri, pasi në disa raste ai ka qenë i mbushur plot e përplot. Kjo kuptohet edhe me urinë që kanë në qytetin juglindor për një titull kampion, pasi diçka e tillë nuk ndodh që nga viti i largët 1933. Skënderbeu-Laçi është sfida e fundit e ditës së sotme, që do të nisë të luhet në orën 17:00, pasi të kenë përfunduar të tjerat.