E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët në kor: Duam Lorik Canën te Bajern

• Tifozët e Bajernit të Mynihut kërkojnë që drejtuesit e klubit të tyre të blejnë Lorik Canën sezonin e ardhshëm.Jetmir Halilaj Në uebsajtin zyrtar të klubit gjerman, një pjesë e madhe e fansave të skuadrës bavareze e kanë cilësuar shqiptarin si pasardhësin ideal të Jens Jeremis. Gjithsej ishin postuar 201 komente në lidhje me Lorik Canën dhe pjesa dërrmuese e tyre mbështesnin idenë e një transferimit të mundshëm të 24-vjeçarit te Bajerni. Megjithatë ka pasur edhe nga ata, të cilët e kanë cilësuar Canën si shumë të ashpër dhe jo fort të disiplinuar. Sipas të gjitha gjasave këtë koment e ka bërë një shqiptar, sepse edhe pseudonimi i tij ishte “Agronf”, i cili shkruante: “...një lojtar si Cana do t’i prishte punë Bajernit, sepse ai shpeshherë ndëshkohet me kartonë të verdhë dhe mungon në një pjesë të mirë të ndeshjeve...”. Megjithatë kanë qenë të shumtë ata që janë shprehur pozitivisht për mesfushorin e Kombëtares shqiptare. Ata kanë vlerësuar forcën dhe karakterin e gjakovarit, por edhe faktin që është i ri dhe mund të luajë për shumë vite te Bajerni i Mynihut. “Mendoj se Cana është shumë interesant sidomos kur kërkon të kesh një Nasri në skuadër, atëherë të nevojitet edhe një tip si Cana.Ai është një lojtar, i cili mund të marrë përsipër vetë rolin e numrit 6 (shkatërruesit). Për nga rolet ai ngjan shumë me Gatuzon, por Cana është pak më shumë agresiv. Ndonjëherë edhe më tepër se ç’duhet. Është paksa si Jeremisi”, shkruante tifozi me pseudonimin “Ben Aflek”. Ka pasur edhe nga ata që e kanë cilësuar spekulim një transferim të mundshëm të Canës te Bajerni, për shkak të vlerës së lartë që ka kartoni i tij. “...Të jeni të bindur se bëhet fjalë për një spekulim dhe se Cana nuk do të vijë kurrë. Ai është një lojtar shumë i mirë, por Evertoni i ofroi Marsejës 10 milionë euro dhe ata nuk pranuan ta shisnin Canën. Nuk besoj se Uli (Hënes) do të ishte i gatshëm që të shpenzonte kaq shumë para”, shkruante tifozi me pseudonimin “Quote”. Ka pasur nga ata që e kanë cilësuar Canën si një ndër më të mirët në Evropë në rolin e tij dhe bashkë me Van Bomelin do të krijonin një dyshe të frikshme për kundërshtarët. “Është një lojtar i shkëlqyer. Është i ri dhe është më brutal se holandezi ynë Van Bomel. Të dy bashkë do të krijonin një dyshe jo si shkatërrues, por si thyes kockash. Kështu do t’iu kallnim frikën kundërshtarëve. Sa herë kemi thënë se nëse Van Bomel do të luante me Jens Jeremis, do të ishin të pakalueshëm. Tani kemi rastin të marrim Canën, ai i ngjan shumë Jeremisit”, shkruante ultrasi me pseudonimin “Steveostin 10”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›