Homoseksualët e pranueshëm

Ish reprezentuesi anglez Gareth Southgate ka thënë se futbollistët do të pranonin një bashkëlojtar homoseksual në zhveshtore. Por, ish menaxheri i Middlesbrough ka theksuar se disa tifozë nuk do të ishin aq tolerantë drejt një futbollisti homoseksual, i cili do të shprehte hapur preferencat e tij.
Komentet e Southgate vijnë pasi atyre të portierit të Manchester Unitedit, Anders Lindegaard i cili tha: “homoseksualët kanë nevojë për një hero”. Southgate deklaroi: “Jam i sigurt se mund të ketë disa reagime nga publiku, por brenda zhveshtoreve mendoj se do të ishin të pranuar”.
Pavarësisht një numri të sportistëve meshkuj dhe femra që në vitet e fundit kanë vendosur të shprehin publikisht orientimin e tyre seksual, i vetmi futbollist nga e kaluara i cili pranoi se është homoseksual pas Justin Fashanu më 1990, është Anton Hysen.
Biri i ish futbollistit të Liverpoolit, Glenn Hysen, pranoi se është homoseksual gjatë një interviste për një magazinë suedeze të futbollit. 21 vjeçari luan për skuadrën suedeze Utsiktens BK.
“Nevojitet të jenë të guximshëm, të hapur dhe të sinqertë. Futbollistët përzihen mes vete në shtetësi të ndryshme, raca dhe religjione, andaj nuk mendoj se orientimi seksual mund të jetë problem në zhveshtore. Ne nuk mund të kontrollojmë reagimin e të gjithë tifozëve, andaj fatkeqësisht gjithmonë do të ketë mendim të kundërt nga palët e ndryshme të shoqërisë. Por, përgjigja e sinqertë është ajo që ne nuk dimë asgjë derisa dikush të del dhe të shprehet publikisht”, u shpreh Southgate.
Më herët gjatë javës Lindegaard shkroi në ueb faqen e tij se natyra e tifozëve në tribuna vetëm sa vështirëson edhe më tepër rrethanat për paraqitjen publike të futbollistëve homoseksualë.
“Homoseksualët kanë nevojë për një hero. Ata kanë nevojë për dikë që guxon të paraqitet dhe të tregojë orientimin e tij seksual. Por, homoseksualiteti është temë tabu në futboll dhe atmosfera në fushë dhe në tribuna është e rëndë”, theksoi Lindegaard.
“Si futbollist, mendoj se një koleg homoseksual do të jetë i frikësuar nga pritja që do të merrte nga tifozët, por përshtypja ime është se futbollistët nuk do të kishin problem të pranojnë një homoseksual. Problemi për mua qëndron te tifozët. Derisa pjesa tjetër e botës është më liberale, më e civilizuar dhe më pak e paragjykueshme, bota e futbollit mbetet e ngujuar në të kaluarën sa i përket tolerancës”, përfundoi ai.