Si po i devijon nga rruga komuniste politika e Hrushovit
Letra e hapur që PPSH-ja i dërgon Moskës dhe partive të tjera komuniste. Hedhja poshtë e Stalinit dhe përdorimi i bllokut për interesat revizioniste
Komunizmi i Nikita Hrushovit është në thelb një variant i socializmit borgjez. Britmat e tij mbi kujdesin për të mirën e popullit, për një jetë më të mirë për çdo njeri, janë krejt hipokrite e demagogjike. Ajo për të cilën merakoset grupi i Nikita Hrushovit është kujdesi për një jetë më të mirë për çdo njeri, janë krejt hipokrite e demagogjike. Ajo për të cilën merakoset grupi i Nikita Hrushovit është kujdesi për një jetë më të mirë, më të rehatshme e më të begatshme, për një shtresë të privilegjuar e të degjeneruar, e cila siguron të ardhura të mëdha në formën e rrogave, shpërblimeve dhe honorareve të larta dhe me anë të shpërdorimeve dhe honorareve të larta dhe me anë të shpërdorimeve, ryshfeteve, vjedhjeve etj. Idealin e lartë të komunizmit Hrushovi e ka reduktuar te pjata e mirë me gulash. Si model të komunizmit të tij ai merr Shtetet e Bashkuara të Amerikës, eksperiencën e industrialistëve dhe rekomandimet e fermerëve të mëdhenj amerikanë, të Itonëve dhe Harstëve me shokë. Ai ka arritur deri atje sa t’u shtrijë dorën imperialistëve amerikanë që, me dollarët dhe kreditë e tyre, të ndërtojë komunizmin në Bashkimin Sovjetik. Revizionistët hrushovianë i kanë hapur dyert depërtimit të ideologjisë borgjeze, mënyrës së jetesës borgjeze, degjenerimit borgjez në art, në letërsi e në kulturë, gjallërimit të gjithfarë tendencave antisovjetike, antisocialiste, përhapjes së rrymave dekadente perëndimore. Ata propagandojnë me të madhe individualizimin dhe egoizmin borgjez, humanizmin dhe pacifizmin borgjez. A nuk flasin qartë të gjitha këto se në ç’rrugë të rrezikshme po e fut Bashkimin Sovjetik Nikita Hrushovi? Të gjitha këto nuk janë aspak hapa përpara drejt komunizmit, por hapa prapa drejt kapitalizmit. Në këto rrethana përpara komunistëve revolucionarë sovjetikë, përpara popullit sovjetik, shtrohet çështja: a do të lejojnë ata që grupi i Nikita Hrushovit të realizojë me qetësi veprën e tij kriminale, kundërrevolucionare, apo do ngrihen në mbrojtje të fitoreve të socializmit e të komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe të ndalin kursin antisovjetik e antisocialist të Nikita Hrushovit? Sa kohë që partia juaj mbante lart të pastër flamurin e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar dhe ndiqte një vijë konsekuente revolucionare në të gjitha çështjet e politikës së brendshme e të jashtme, Bashkimi Sovjetik, për dekada të tëra ka qenë kështjella e revolucionit dhe e socializmit, flamuri i luftës kundër imperializmit, mbrojtësi e përkrahësi i madh për çështjen e çlirimit të klasës punëtore e të paqes në botë. Komunistët revolucionarë dhe popujt e gjithë botës e shikonin me respekt të thellë dhe dashuri të madhe Bashkimin Sovjetik, merrnin shembull dhe frymëzoheshin nga qëndrimi i tij parimor, revolucionar. Krijimi i kampit socialist, rritja e lëvizjes komuniste e punëtore, hovi i madh i lëvizjes çlirimtare të popujve janë të lidhura ngushtë me rolin dhe kontributin internacionalist të vendit të parë të socializmit, Bashkimit Sovjetik. Në këtë kohë në kampin socialist, në lëvizjen komuniste dhe në të gjitha organizatat demokratike ndërkombëtare ekzistonte një unitet i plotë mendimi dhe veprimi. Të gjitha forcat revolucionare të botës, me Bashkimin Sovjetik në krye vepronin të bashkuara si një trup i vetëm kundër forcave të imperializmit dhe të reaksionit. Por Nikita Hrushovi me kursin e tij politik i vuri minat prestigjit, autoritetit dhe rolit të Bashkimit Sovjetik në botë. Ai, në emër të Bashkimit Sovjetik, përçan kampin socialist e lëvizjen komuniste ndërkombëtare, saboton dhe mbyt revolucionin e luftës çlirimtare të popujve, mashtron dhe frikëson popujt, zbukuron e mbron kapitalizmin dhe imperializmin. Shikoni, shokë, ç’tragjedi të madhe po luan grupi i Nikita Hrushovit me vendin tuaj, që ka kaq tradita të shkëlqyera revolucionare, kaq merita të mëdha historike! Ai e ka lidhur dhe po e bashkon gjithnjë e më shumë Bashkimin Sovjetik me armiqtë e tërbuar, me ata kundër të cilëve komunistët dhe populli sovjetik kanë bërë një luftë të vendosur dhe heroike. Grupi i Nikita Hrushovit ka bërë aleatë dhe miq të Bashkimit Sovjetik ata që duan t’i bëjnë varrin këtij. Ai ka bërë aleat dhe mik të Bashkimit Sovjetik imperializmin amerikan, që është koka e imperializmit botëror, qendra e reaksionit dhe burimi kryesor i luftës dhe i agresionit shfrytëzuesi dhe xhandari ndërkombëtar, armiku numër një i popujve të të gjithë botës. Ai ka bërë mik e vëlla klikën e Titos, që ka tradhtuar me kohë marksizëm-leninizmin, që zhvillon një veprimtari minuese kundër forcave të socializmit, të lirisë e të paqes në botë, që i shërben me zell imperializmit, që mbahet në këmbë me dollarët amerikanë dhe që është dënuar njëzëri nga lëvizja komuniste ndërkombëtare. Miq dhe aleatë të tij janë bërë renegatët e klasës punëtore, shërbëtorët e borgjezisë dhe antikomunistët e tërbuar, krerët e djathtë reaksionarë social-demokratë, si Moleja, Spaku, Uilsoni etj. Miq e aleatë të tij janë bërë borgjezia reaksionare indiane, të cilën Nikita Hrushovi e armatos dhe e ndërsen për të shtypur popullin indian dhe për të zhvilluar agresion kundër një vendi vëlla socialist siç është Republika Popullore e Kinës. Miq dhe aleatë të tij janë bërë Vatikani i Romës, kjo qendër e vjetër reaksioni dhe obskurantizmi, janë bërë të gjitha forcat reaksionare dhe kundërrevolucionare të botës, deri te revanshistët e Bonit, me të cilët Nikita Hrushovi po përpiqet të bjerë në ujdi. Gjithë tehun e luftës së tij Nikita Hrushovi e ka drejtuar kundër aleatëve dhe miqve të vërtetë e besnikë të Bashkimit Sovjetik. Ai është vërsulur me egërsi dhe urrejtje kundër republikës Popullore të Kinës, kundër Partisë Komuniste dhe popullit të madh kinez, ai po mbjell armiqësi midis dy popujve të mëdhenj e dy vendeve më të fuqishme socialiste. Jo aleanca sovjeto-amerikane, për të cilën ëndërron dhe punon natë e ditë Nikita Hrushovi, por bashkëpunimi vëllazëror dhe miqësia sovjeto-kineze është ajo që i duhet popullit sovjetik, kampit socialist, lëvizjes revolucionare e çlirimtare në botë. Por në vend të këtij bashkëpunimi dhe të kësaj miqësie, Nikita Hrushovi po intensifikon përherë e më tepër luftën e tij të paparim kundër Republikës Popullore të Kinës dhe Partisë së saj Komuniste. A nuk është kjo shokë një tradhti e madhe ndaj interesave jetike të Bashkimit Sovjetik? Ju jeni në dijeni të sulmeve të egra, të shpifjeve dhe akuzave monstruoze, të veprimeve armiqësore që grupi i Nikita Hrushovit ka bërë kundër Partisë së Punës të Shqipërisë, Republikës Popullore të Shqipërisë, popullit shqiptar dhe udhëheqësve të tij. E për çfarë nuk e ka akuzuar ai partinë dhe popullin tonë! Në luftën kundër partisë e popullit tonë ai përdori kërcënimet dhe presionet, ndërhyri brutalisht në punët e brendshme, vendosi bllokadën ekonomike dhe preu marrëdhëniet diplomatike. Ai, nga tribuna e Kongresit të 22-të, u bëri thirrje të hapura komunistëve dhe popullit shqiptar për kundërrevolucionin, për përmbysjen e udhëheqjes së partisë e të shtetit, thirrje që përsëriten vazhdimisht nëpërmjet organeve të propagandës sovjetike dhe sidomos të Radio-Moskës në emisionet e saj për Shqipërinë. Po përse gjithë kjo urrejtje, gjithë kjo armiqësi ndaj një vendi socialist, ndaj një partie marksiste dhe një populli vëlla, urrejtje dhe armiqësi që nuk e kanë shprehur ndaj vendit tonë as armiqtë imperialistë më të tërbuar? Cili ishte krimi që kish kryer kjo parti e ky popull? Krimi i vetëm i tyre ishte se ata nuk pranuan t’i nënshtrohen vijës tradhtare të Nikita Hrushovit, dolën në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, demaskuan dhe kundërshtuan qëllimet përçarëse të revizionistëve. Një luftë të ashpër zhvillon grupi i Nikita Hrushovit kundër vendeve të tjera socialiste që nuk i nënshtrohen diktatit të tij, si dhe kundër të gjitha partive komuniste që kundërshtojnë revizionizmin dhe mbrojnë marksizëm-leninizmin. Kundër tyre ai përdor të gjitha armët e metodat që përdorin armiqtë e klasës. Ai ndërhyn brutalisht në punët e tyre të brendshme, shkel sovranitetin dhe pavarësinë e tyre, bën presione e shantazhe për gjunjëzimin e tyre, mbjell përçarje e organizon komplote, siç bëri kohët e fundit edhe kundër Partisë Komuniste të Japonisë, përdor organizmat e përbashkëta të Këshillit Ekonomik të Ndihmës Reciproke dhe të Traktatit të Varshavës për t’i vënë vendet socialiste nën sundimin e grupit të tij, për t’i shfrytëzuar ato për qëllimet e veta egoiste e shoviniste. Me gjithë kursin dhe veprimtarinë e tij Nikita Hrushovi u ka sjellë dhe po u sjell shërbime të mëdha imperializmit dhe reaksionit botëror dhe ka dëmtuar e po dëmton rëndë çështjen e socializmit, të lirisë së popujve e të paqes në botë.
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 6 tetor 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
20 Mars 2008