Vdekja e mbretit Zog në prill 1961, si e pasqyroi “The New York Times”-i
Gazeta amerikane tregon se si u nda nga jeta prej sëmundjes mbreti shqiptar në ekzil. Historia e tij që nga lindja, kurorëzimi si monark dhe jeta në shumë vende të botëS
PARIS – Ish-mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, gjeti vdekjen sot në spitalin “Foch”, në periferi të qytetit Suresnes. Ai ishte 65 vjeç. Mbreti, i cili nuk kishte mbretëruar që në vitin 1939, kur ai u largua në ekzil, ishte shtruar në spital javën e kaluar, pasi vuante nga një sëmundje në mëlçi dhe kishte shumë ulcera në stomak. Princi Leka, djali 22-vjeçar i mbretit, u bë pasardhësi i fronit. Ai ndoqi Akademinë Ushtarake Britanike në Sandhurst. Gjithashtu, në radhën e vizitorëve të pranishëm në spital ishte bashkëshortja e tij, ish-mbretëresha Geraldinë.
Përballja me probleme ekonomike
Zogu tregoi kurajë dhe dredhi gjatë drejtimit të Shqipërisë. Si mbreti Zogu I, ai ishte një administrator i zoti. Megjithatë, pikërisht në ditët përpara nisjes së Luftës së Dytë Botërore ai nuk qe në gjendje të zgjidhë problemin madhor të mbretërisë së tij të vogël dhe ekonomikisht të dëshpëruar, - se si do të merrte ndihmë nga një vend i madh (Italia, shën. red.) pa u gllabëruar prej tij. Ai kishte pranuar ndihma financiare nga Italia fashiste, por më 7 prill 1939 forca të armatosura ushtarake italiane pushtuan Shqipërinë. Benito Musolini, diktatori italian, shpresoi të caktonte Shqipërinë si një pikënisje për të aneksuar pjesë të tjera të Ballkanit. Mbreti Zog ishte larguar nga vendi i tij brenda pak ditësh. Më pas Shqipëria u bë një republikë e sunduar nga komunistët në vitin 1946.
Pikërisht përpara se të niste Lufta e Dytë Botërore, pak javë më parë, bashkëshortja e mbretit Zog u largua nga vendi bashkë me djalin e saj 2-ditësh, princin e kurorës, gjë që ngjalli interesin e botës. Ish-mbretëresha Geraldinë është bija e Julius Nagy-Apponyi të Hungarisë dhe e Virgjina Stewart nga Nju Jorku. Ahmet bej Zogu, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë, lindi më 8 tetor 1895 në Burgajet të Shqipërisë, provincë e Matit. Babai i tij ishte Xhemal Pashë Zogu, një nga katër familjet drejtuese të Matit. Nëna e tij ishte Sadie Toptani, një grua fshatare. Kur lindi mbreti Zog, Shqipëria ishte nën sundimin turk.
Studimet në shkollë oficerësh
Zogu studioi në shkollën turke të oficerëve në Manastir dhe më pas në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, që tani ka emrin Stamboll. Më 28 nëntor 1912, një lidhje e fiseve shqiptare deklaroi pavarësinë e vendit nga Turqia dhe më vonë, një “princush” gjerman, William Vid, i pafat në misionin e tij, pranoi ftesën të bëhej mbreti i Shqipërisë. Zogu e mbështeti atë, por Williami ishte i detyruar të largohej nga vendi përpara pushtimit nga forcat austro-hungareze në vitin 1914. Zogu e mbylli Luftën e Parë Botërore si një oficer i Ushtrisë Austriake. Kur ishte krijuar një qeveri e përkohshme në janarin e vitit 1920, Zogu komplotoi që të bëhej ministër i Brendshëm, një detyrë që i kalonte në duart e tij të gjithë policinë kombëtare. Ai mbajti postet si ministër i Brendshëm në kabinetin qeveritar përgjatë drejtimit të dy kryeministrave dhe kryesoi shtypjen e revoltave në mënyrë të pamëshirshme deri në dhjetor të vitit 1922. Në qershor të vitit 1924 ai ishte i detyruar të linte detyrën nga ardhja e një grupi të kryesuar prej hirësisë së tij Fan Noli, i diplomuar në Harvard dhe drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare. Pas një ekzili të shkurtër, ai rikthehet duke përzënë klerikun e lartë nga posti i lartë. Më 1 shkurt 1925 ai zgjidhet Presidenti i Republikës së Shqipërisë nga parlamenti shqiptar. Më 1 shtator 1928 ai vetëshpallet mbreti Zogu I me një mbështetje të trupit legjislativ kombëtar. Shumë shpejt Zogu u gjet ngushtë prej ambicieve të Italisë dhe Jugosllavisë. Tashmë interesat tregtare italiane ishin të forta në vend dhe më 27 nëntor 1926 Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë Paktin e Tiranës, i cili e kthente Shqipërinë në sferën e influencës italiane.
Gjetja dhe kurorëzimi me Geraldinën
Zogu ishte i pamartuar kur erdhi në krye të fronit. Njerëzit rreth e rrotull tij nisën të kërkojnë te familjet e tjera të spikatura mbretërore për gjetjen e një mbretëreshe të përshtatshme për të. Disa prej princeshave të mundshme ishin joentuziaste për të ardhmen e jetës se turbullt në atë lloj mbretërie primitive. Ishte njoftuar se Zogu kishte pasur një martesë të prishur me Jake Kocen dhe kërkonte të gjente një nuse me të ardhura të mjaftueshme.
Megjithatë, Zogu takoi konteshën e bukur Geraldinë, e cila deri në atë kohë nuk e kishte gjetur fatin e saj dhe kishin shkëmbyer kartëvizitat teksa ishin në një muze arti në Budapest. Si shumica e bashkëpatriotëve të tij, Zogu ishte një mysliman. Geraldina ishte një katolike romane dhe disa vështirësi u shfaqën përpara se kisha të jepte pëlqimin e kësaj martese. Ata janë martuar në Tiranë më 26 prill 1938.
Italia ishte akoma duke i ardhur rreth e rrotull Shqipërisë në atë kohë dhe konti Galeazzo Ciano, ministër i Jashtëm italian dhe dhëndri i Musolinit përfaqësoi Mbretërinë e Italisë. Brenda pak muajve Italia ndryshoi qëndrimin e saj. Një fushatë e fortë e shtypit italian kishte nisur në atë kohë, në të cilën mbreti Zog akuzohej se po humbiste fondet e Italisë, që kishin qenë ofruar për vendin e tij. Vetëm me një paralajmërim të vogël forcat italiane kishin zbarkuar dhe u vendosën në Tiranë. Urime të shumta, që u dhanë në nderim të lindjes së princit të Kurorës, u gërshetuan me atmosferën e avancimit të ushtrisë së armatosur italiane drejt vendit.
Mbretëresha Geraldinë, që ishte në një gjendje shëndetësore delikate, u largua nga vendi me një ambulancë bashkë me djallin e saj. Zogu ndërmori një rezistencë me ushtrinë e vogël të tij, të trajnuar nga italianët, por shumë shpejt ishte i detyruar që të largohej drejt Greqisë. Ai iu bashkua familjes së tij në Londër, ku mbetën gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ata e zhvendosën rezidencën e tyre në Kajro. Më 2 janar 1946 mbreti Zog ishte ligjërisht i shkurorëzuar si mbret në mungesë. Gjeneral Enver Hoxha u bë udhëheqësi i qeverisë shqiptare të sunduar nga komunistët.
Lëvizja drejt Rivierës franceze
Në vitin 1955, pas një konflikti për çështje taksimi me qeverinë e re revolucionare egjiptiane, Zogu shkon të jetojë në një vilë pothuajse bosh në Rivierën franceze, pa shërbëtorë, dhe refuzoi të gjitha ftesat. Mbreti, një njeri nervoz dhe energjik, kishte shpenzuar shumë nga koha e tij në vitet e fundit për të shkruar historinë 4-volumshe të jetës së tij. Me gjithë vështirësinë e shkaktuar nga humbja e shumë dokumenteve personale gjatë një mësymjeje bombarduese në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mbyllur vetëm dy volume.
Mbretëresha Geraldinë, që ishte 20 vjet më e re sesa ai, u përkujdes për monarkun e sëmurë dhe për punët e shumta shtëpiake. Një gjuhëtare, që shërbeu për rreth 10 vjet si përkthyese e mbretit, i përgatiti shkrimet e tij nga gjuha shqipe në frëngjisht. Megjithatë, ai bisedoi që të lëvizte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1951 ai bleu një shtëpi të madhe me 6 dhoma në një pronë prej 95 akrash në Syosset, L. I. Ai nuk e pa kurrë atë, megjithatë e shiti në vitin 1955, pas një konflikti për probleme taksash me autoritetet e vendit të Nassau-t. Më vonë shtëpia i ishte rikthyer.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 10 prill 1961
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: ”Ndahet nga jeta ish mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu”
Përgatiti: Albert Gjoka
20 Mars 2008