E Shtunë, 31 Tetor 2026

Timoshenko akuzohet per vrasje

Ish- kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko do të përballet me akuzën e vrasjes së një sipërmarrësi e njëkohësisht politikani, ngjarje kjo e ndodhur 16 vjet më parë. Lajmi është konfirmuar nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Renat Kuzmin, në një intervistë të publikuar të hënën nga e përditshmja ruse "Kommersant".

Prokuroria ka njoftuar më herët se ish- kryeministrja ishte dëshmitare për çështjen në fjalë. Ngjarja për të cilën akuzohet Tymoshenko ka ndodhur në vitin 1996, kur deputeti Yegen Shcherban dhe bashkëshortja e tij u vranë në aeroportin e Donetskut.

Sipas prokurorisë vrasja u bë me urdhër të Tymoshenko-s dhe ish- kryeministrit tjetër, Pavlo Lazarenko. "Kemi mjaftueshëm prova që konfirmojë përfshirjen e Tymoshenkos në këtë vrasje dhe kemi ndërmend ta vëmë përballë këtyre akuzave"- ka thënë Kuzmin.

Ish- kryeministrja po vuan aktualisht një dënim prej 7 vitesh burg pasi u shpall fajtore për abuzim me pushtetin. Çështja e Tymoshenkos është kritikuar nga vendet perëndimore si e motivuar politikisht. Kjo ka bërë që shumë funksionarë europianë të bojkotojnë kampionatin europian të futbollit që zhvillohet në Ukrainë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›