E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja ose të lë, ose të merr



Teodor KEKO

Herën e fundit ata hëngrën darkë në Monza, përballë katedrales së ndriçuar bukur nga projektorët e fshehur mjeshtërisht. Linci këmbënguli të darkonin në Monza, megjithëse ishte i sigurt se në Milano nuk do t’i shqetësonte askush. Ajo natë pati kaluar sipas skemës së lashtë të fiksuar mes tyre tashmë: ajo qau sa u ngop dhe përsëriti dhjetëra herë se, po të zhdukej prapë me muaj, siç e kishte zakon, Linci do bënte mirë t’ia harronte emrin, kurse Linci pinte për qejf të vet dhe ia merrte herë pas here ndonjë motivi sentimental të atyre këngëve italiane të viteve ’70-të, ku i kishte ngecur ora, që kur e ngritën familjarisht dhe e degdisën në internim baltrave të Roskovecit, pastaj burgjeve kalvar, nga të cilët shpëtoi në 1991-shin.
Ata ishin lidhur bashkë nja katër vjet të shkuara, kur qenë takuar rastësisht në Peruxhia: Monika duke kërkuar më kot vajzën e tezes e Linci duke hyrë, si zakonisht, në një klub për të hedhur ndonjë gotë. Linci, tek po parkonte makinën, e pati parë Monikën që shihte e hutuar majtas-djathtas, dhe i dha dum në çast se ajo bukuroshe e trembur do qe ndonjë shqiptare e mashtruar keq. Siç e kishte zakon, nuk e mendoi gjatë hipotezën që iu vërtit në kokën e qethur shkurt. Iu drejtua shqip tjetrës “si mund t’ju ndihmoj?” dhe Monika, me gjithë porositë e marra për të mos e shfaqur identitetin e saj te të panjohurit, iu përgjigj krejt pa vetëdije shqip. Ata hynë në bar së bashku, ai bëri çmos që ta ndihmonte tjetrën, se, sa për kavalier, zor t’i dilte njeri përballë, dhe arriti ta merrte vesh se vajza e tezes së Monikës qe zhvendosur ca ditë më parë në Milano. Duke pirë e duke vërshëllyer në qejf të tij, Linci i tha Monikës se atë natë mund ta kalonte në dhomën e tij të hotelit. Ai kishte ca punë në darkë vonë dhe mund të mos kthehej fare në hotel. Monika pranoi. Nuk kishte çfarë të bënte. Linci u kthye nga ora dy e natës në dhomë. E gjeti tjetrën duke qarë në dritare. Me 100 mijë lireta në xhep, tjetra ishte e mbaruar. Ai e ngushëlloi moskokëçarës dhe pastaj i tha tjetrës shqeto:
- ǒe vret mendjen? Nesër është nesër! Ditë e re, nafakë e re! Ia fusin pordhës ata që merren me parashikime. E ardhmja as shihet e as ndërtohet! Ajo ose të lë, ose të merr! Sonte qenka natë për dashuri! Hajde, zemra...
- Po unë nuk të njoh, - bëlbëzoi e kapur në kurth ajo.
- Këtu qëndron bukuria, - tha Linci, - gjërat që të mbeten në kujtesë nuk kanë vlerë! Kështu, të panjohur, edhe bëjmë qejf, edhe harrojmë gjithçka që nesër... A ka gjë më hyjnore sesa harresa?!
Për filozofi ai mbetej unikal.

* * *
Ata fjetën atë natë bashkë, të nesërmen Linci e shoqëroi Monikën në Milano, ktheu gjithë Milanon përmbys, derisa e zbuloi ku ishte futur vajza e tezes së saj, pastaj, si i këputi tjetrës një “Çao!” fodulle, ia mbathi. U zhduk ca kohë dhe, pas nja gjashtë muajsh, i ngelur vetëm në Milano, u kujtua për Monikën. Kështu u takuan përsëri. Ajo tani punonte si infermiere në një azil pleqsh dhe e kishte kapur diçka veten, megjithëse e urrente punën që bënte, një punë ku laheshe me çiç e kakë bashkë, sipas saj.
- Duhet të jetë punë e vështirë, - e mbështeti Linci në shtrat, duke nuhatur drejt trupit të saj.
Pas kësaj here, Linci nuk kalonte kurrë në Milano pa u kthyer nga Monika. Ai ishte mirë ekonomikisht. Mund të quhej nga padronët e mariuanës shqiptare dhe nuk kishte rënë kurrë në kthetrat e policisë, sepse nuk mund të gjeje një njeri në dynja të parashikonte se si do të vepronte Linci pas një minute, jo më pas disa ditëve. Sa herë kishte ndonjë valë goditëse, ai i këpuste një muaj pushim. Pushimet i kalonte si xhentëlmen në Milano me Monikën përkrahu. Dhe erdhi një kohë që ata u lidhën shumë njëri me tjetrin.
Monika qante gjithmonë e më shpesh. Ajo e dinte se Linci tani kishte të holla sa të hanin edhe qentë e Italisë, andaj këmbëngulte që ai ta linte punën. E ç’i duheshin fitimet e tjera, kur nuk do t’i prishte dot derisa të vdiste ato që kishte andej nga bankat e Lukesnburgut?! Linci bënte sikur e dëgjonte, por sa mund t’i dilnin trutë gomarit, aq mund t’i hynte gjë në kokë atij. Megjithatë, Monika i pëlqente. Kur erdhi në Tiranë për të rregulluar ngarkesën e re të mariuanës, ai pyeti për Monikën. Doli që ajo njihej si vajzë e mirë dhe rridhte nga damar i njohur. Atëherë Linci filloi të mendohej seriozisht për të ardhmen, kuptohet, me aq seriozitet sa mund të gjeje brenda asaj kafke, ku e tashmja qe shtrirë për shtatë palë qejfe.
Monika, që e kishte braktisur prej një viti punën, që kur Linci i kalonte nja gjashtë muaj të vitit në Milano, iu betua e stërbetua në Monza se, po të vazhdonte me budallallëqet e tij të rrezikshme dhe me ato zhdukjet pa nam e nishan, ajo nuk do ta priste më.- Mirë, mirë, - ia pati kthyer i mërzitur tjetri. – Boll! Ta dhashë fjalën se do heq dorë...
Atë natë fjetën në një hotel komod në Monza, të nesërmen ai e la Monikën në Milano, i fiksoi një takim në mbrëmje dhe ia mbathi, siç e kishte zakon, në Zvicër. Duheshin çuar ca bukë, siç e quante ai drogën, në Lugano dhe këtë punë nuk e merrte përsipër askush. Lincit i eci përsëri. I kaloi policisë serbes nën hundë, çoi ngarkesën në vend, bëri transfertën e të hollave në llogarinë e tij dhe erdhi nja tre muaj vërdallë nëpër Evropë. Por mendjen e kishte te Monika. Sikur po dorëzohej përpara betimit homerik të marrë, kur ndodhej në burg, se nuk do të martohej kurrë. Atëherë atë e denoncoi e dashura e tij, një vajzë e urtë, me të cilën ai e pati ndarë rradaken të martohej. Ajo ligjëroi si zog në sallën e gjyqit, e bëri denoncimin edhe me fjalë të thjeshta, që ta kuptonin mirë gjykatësit pra, kurse ai iu përgjigj akuzave vetëm me një fjali të trishtuar: “Po unë të kam dashur, o budallaqe!..”
Linci nuk e kishte ndarë mendjen të martohej menjëherë. Por për bashkëjetesë, ishte. Edhe ndonjë fëmijë mund ta bënte, hë për hë me Monikën, sa pa iu bërë gjaku e sperma alkool i gjallë... Të tjerat, me të parë e me të bërë!
Ai e ndau mendjen të ndodhej në Milano më 27 gusht, ditën e emrit të Monikës, dhe i qëndroi besnik vendimit të marrë. Dhe ja, sot, më 27 gusht, ai po kthehej. Në kroskotin e makinës kishte një unazë të mrekullueshme për Monikën. Mall i vjedhur ishte, se s’blihej kollaj ajo stoli, por dhuratës nuk i bëhet biografia. Dhe as ai nuk ka ndër mend ta hapë barkun para tjetrës.
Duke u kthyer në Milano, Linci ndjen se po ndodh një ndryshim brenda tij. Ai kujton vuajtjet e pafundme. Para syve i dalin bashkëvuajtës, duke hyrë pa e kthyer kokën pas në galeritë e burgut. Ai bën një si biçim apeli me mendjen e tij. Shumë njerëz nuk përgjigjen. Ata kanë mbetur në faqen e malit apo në barkun e malit, pa asnjë nishan mbi vete. Ca kanë vdekur nga druri, ca nga sëmundjet, ca kanë vrarë veten, ca i ka zënë galeria nën vete... Simoni i shkretë u gropos përgjithmonë, ngaqë i hapte vrimat me martinel diagonal, siç nuk lejohej, nga poshtë lart. Ai kërkonte të nxirrte sa më shumë mineral në siprfaqe, që të fitonte sa më shumë ditë. Vdiq kur i kishte ngelur edhe një tremuajsh burg, megjithë ditët e fituara nga shtesa mbi normën. Atë e qau i gjithë burgu... Linci vendos ashtu turbull që, me t’u kthyer në Shqipëri, të japë sa lekë që nevojiten për të gjetur varret e shokëve fatkeqë. Pastaj i kujtohet përsëri Monika. I shfaqet vajza e trembur në Peruxhia dhe e uron veten që është zemërgjerë, me dëshirë për t’i ndihmuar të tjerët. Po mos ta kishte çarë kokën atëherë, tani do të gjendej përsëri vetëm, i ndryrë në ndonjë klub, duke kënduar po ato këngë të viteve ’70-të.

* * *
Ai hyn në Milano në kohën që po bie muzgu. Ndalon në një kabinë dhe i telefonon Monikës. Ajo ka dalë dhe vajza e tezes së saj, që është në brendësi të marrëdhënieve të tyre, nuk ia zgjat shumë. Ajo është një dhi e vërtetë. Nuk ia fal Lincit andrallat që po i krijon Monikës. Po edhe Linci nuk e çan bythën shumë. Vendos receptorin në fole dhe vret mendjen ku ta kalojë natën sonte. Nuk e shqetëson puna e ditës së emrit të Monikës. Atë do ta gjejë nesër. Mjafton t’i mbushë mendjen vetes se edhe nesër është data 27 gusht e gjithçka do të shkojë mirë. Ai fillon të këndojë nën zë një këngë të Çelentanos. Ndihet mirë. Vendos të marrë ndonjë prostitutë te zjarret pranë stadiumit dhe kthen makinën andej. I vjen pak keq për Monikën, që do qajë sonte nga mërzia pse Linci nuk është bërë i gjallë, qoftë edhe për një urim, por e ngushëllon e nesërmja. Ja, shfaqen zjarret dhe ai harron gjithçka. Fillon të studiojë vajzat që kthehen drejt tij. Sonte i do shpirti ndonjë zog të vogël. I janë mërzitur gërdallat e mëdha. Ia vë syrin një brazilianeje simpatike dhe kthen makinën drejt saj. Por, teksa kthehet, ngrin në vend. Me bisht të syrit ka dalluar një vajzë, që ngjason me Monikën. Po kjo çudi, habitet ai dhe ndalon para këmbëve të sozisë. Tjetra afrohet, duke u tundur lehtë dhe, nëpër natën që thyhet vetëtimthi nga flaka e zjarreve, ai njeh Monikën. Bëhet bezhë në fytyrë, por nuk ndihet. Ia bën me gisht që t’i afrohet dhe ul xhamin e makinës. Tjetra nuk dallon gjë.
- 50 mila in makina, 100 mila in kaza, - shqipton mekanikisht ajo.
- Sali! - i thotë shkurt Linci.
Tjetra hip në makinë dhe struket në sediljen e saj. Linci i jep gaz makinës dhe, nja një kilometër më tutje, ndez dritën e kabinës e kthehet nga Monika.
- Sa kohë ke që e bën këtë punë? - e pyet ai.
Monika shtang, kur shikon Lincin. Në fillim nuk u beson syve, pastaj bëlbëzon:
- Mbaje makinën, të lutem! Do zbres...
Linci frenon. E ndjek me sy tjetrën tek zbret dhe nuk ndien asnjë dëshirë për t’i folur. Rikthehet në rrugën e zjarreve e fton në makinë brazilianen.
-50 mila in makina, 100 mila in kaza, - shqipton mekanikisht tjetra, me një akcent të lehtë.- - Sali! - i thotë shkurt Linci.
Mendja i qëndronte te Monika. Ai kujton përbetimet e saj, ledhatimet e lotët, lutjet e fjalët e saj për të ardhmen e tyre... Nuk duhet ta bënte këtë gjë, mërmërit me vete Linci, pavarësisht nga sjellja ime. Meqë fjalët kanë qenë të sajat, ai mendon se ajo duhej të kishte më shumë respekt për vetveten. I tregon shkurt brazilianes se çfarë i ndodhi pak çaste më parë. Tjetra trembet, duke marrë vesh se ai është shqiptar, por Linci e qetëson, kur e fut në një hotel luksoz. Kur mbarojnë atë punë dhe ajo bëhet gati të largohet, i thotë Lincit me një trishtim të lexueshëm në fytyrë:
- Unë punoj si prostitutë, sepse nuk kam kë të pres... Mos e ngarko me shumë faj kolegen time! Asnjë nga ne nuk e di se ç’do të ndodhë nesër, në një kohë që të gjithë ne duam të jetojmë!..
Ajo ikën. Dalëngadalë, Linci qetësohet. Betohet përsëri që mos të martohet kurrë. Ai bën një llogari elementare: humbi Monikën, por nuk do të ushqejë më iluzione të rreme për të ardhmen. Llogaria i del me fitim të konsiderueshëm dhe ai u rikthehet këngëve të tij moskokëçarës. Ia hodha bythës edhe kësaj radhe, thotë i lumtur. Porosit një shishe verë të mirë fare dhe i këput një dush për shtatë palë qejfe. Është sërish i lirë dhe ai e di mirë se ç’do të thotë LIRI. Unaza, ai lak i shtrenjtë vetëtitës, ka mbetur e kyçur në kroskotin e makinës. Realisht, atje e ka vendin, filozofon i përgjumur dhe i kënaqur Linci. Dhurata bëhen atëherë, kur individi ka respekt për vetveten... Dy çaste më pas, gërhet.
_________________
Tregimi është marrë nga vëllimi “Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet dhe disa njerëz”, titulli i red.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›