E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, 18 orë ujë në ditë

27/04/2005  Tirana ka shanse të ketë 18 orë ujë në ditë. Edhe pse nuk mund të thuhet se uji do të rrjedhë 24 orë lirshëm në çezmat e banorëve të kryeqytetit, gjithsesi duket se furnizimi me ujë në pjesën më të madhe të ditës është një lajm i mirë për banorët. Mbas përfundimit të punimeve në sistemin e ujësjellësit, që pretendohet të zgjasin tre muaj, duket se uji nuk do të jetë më problem për kryeqytetin. Në zonën e Selitës në Tiranë kanë nisur punimet për përmirësime në sistemin e ujësjellësit, projekt që synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të kësaj zone, e cila vuan nga probleme të ndryshme të infrastrukturës. Drejtori i Ujësjellësit, Hasan Lami, i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve, tha se pas përfundimit të projektit, Selita do të ketë ujë për 18 orë në ditë. Duket se në ceremoninë e përurimit ka qenë dhe deputetja e zonës, Ermelinda Meksi, e cila ka premtuar se në përfundim të punimeve, nuk do të ketë më probleme me ujin për banorët e zonës. “Falenderoj Drejtorinë e Ujësjellësit që ka marrë në konsideratë kërkesat për realizimin me përparësi të këtij projekti dhe u ka premtuar banorëve që do ta ndjekë projektin deri në përfundimin e tij”, tha Meksi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›