E Martë, 3 Nëntor 2026

Udhëzimet e barnave në shqip

27/04/2005  Brenda datës 20 maj firmat farmaceutike duhet të dorëzojnë udhëzimet e barnave shqip

Përdorimet shqip, do të miratohen nga Qendra e Kontrollit të Barnave

Brenda datës 20 maj, të gjitha firmat farmaceutike do të dorëzojnë udhëzimet e barnave në gjuhën shqipe. Më pas ato do të miratohen. Procesi i miratimi i fletë-udhëzimeve të barnave do të jetë kompetencë e Qendrës së Kontrollit të Barnave. Ky është udhëzimi i fundit i dalë nga dikasteri kryesor i shëndetësisë.

Firmat farmaceutike, që nuk kanë të miratuar fletë-udhëzuesit në gjuhën shqipe, duhet t’i paraqesin ato pranë Qendrës së Kontrollit të Barnave në gjuhët anglisht dhe shqip. QKKB-ja duhet të kontrollojë, të miratojë dhe të lëshojë vërtetimin e miratimit të fletë-udhëzuesit së bashku me variantin përfundimtar të tij.

Menjëherë pas daljes së këtij urdhëri QKKB-ja do t’u kërkojë firmave farmaceutike, që brenda datës 30 maj të kenë sjellë fletë-udhëzuesit në shqip, dhe pas kësaj do të nisi procedura e miratimit të tyre.

Ndërkohë ka nisur vendosja e pullës te barnat. Aktualisht ka mbaruar vendosja e pullave te barnat e ardhura nga importi dhe vazhdon për ato që vijnë rishtas, si dhe po vendoset pulla te barnat e stokut të magazinave. Dhe pas dy muajsh barnat do të dalin me pullë, të cilat do të kenë numrin e kontrollit nga QKB-ja dhe çmimin. Në këtë mënyrë do të jenë dhe më të dallueshme barnat, që hyjnë kontrabandë nga ato që kanë hyrë me leje importi.

Etiketa shqip, pulla e sigurisë dhe e çmimit është arritur që të vendoset me anë të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe biznesit farmaceutik. Në etiketë do të përcaktohet edhe përbërja e barit, firma e cila eksporton mallin si dhe doza që konsumatori mund të përdorë nga bari.

Të gjitha mallrat “në shqip”, ligji nuk zbatohet prej 1 viti

Prej një viti ka dalë ligji që të gjitha etiketat e mallrave, që importohen të jenë në shqip. Megjithatë, ky ligj nuk është zbatuar deri tani. Qoftë për ushqimet, qoftë për barnat konsumatori ka të drejtë ta dijë se ç’është duke ngrënë, apo duke përdorur si dhe të njihet më mirë me cilësi të veçanta të produktit që konsumon. Kjo çështje duket e thjeshtë, por megjithatë nuk po gjen zgjidhje. Duket se luksin e etiketave shqip e kanë vetëm tregtarët e mëdhenj, pra ata që importojnë mallra në sasi të madhe, kështu që prodhuesi e merr mundimin që në fabrikë, që gjatë procesit të ambalazhimit t’i vendosë produktit që është nisur për në Shqipëri etiketë në gjuhën tonë. Por, importuesit e vegjël nuk mund ta realizojnë diçka të tillë. Së pari, sepse vetë prodhuesit nuk i leverdis t’i bëjë etiketat në shqip për sasi të vogla malli, duke qenë se edhe ky proces ka kostot e veta.

Spitalet, me ekip për mjek roje

Shkon mbasdite në urgjencën e spitalit, apo në mes të natës dhe syri nuk të sheh këmbë mjeku. Për këtë arsye ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhër, për të mbarëvajtur punët në spitale. Për të siguruar shërbimin 24-orësh në spitalet universitare si dhe për të rritur cilësinë e shërbimit spitalor, ministri urdhëron që drejtoria e spitalit të hartojë rregulloren e brendshme të shërbimit të mjekut roje. Kjo rregullore përcakton: përgjegjësinë e bërjes dhe miratimit të listës së mjekëve roje, përbërjen e ekipit roje, kush mund të jetë mjek primar i ekipit roje

dhe mjek sekondar. Duhet të përcaktojë, ku, në cilat klinika dhe si do të funksionojë mjeku i gadishmërisë,

datën dhe vendin e shpalljes së listës roje sipas klinikave përkatëse. Drejtoria e spitalit duhet të hartojë rregulloren në fjalë brenda 10 ditëve nga firmosja e këtij urdhëri. Drejtoria e spitalit duhet të dokumentojë kontrollet mbi zbatimin e kësaj rregulloreje, si dhe masat e marra në rastet e mos zbatimit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›