“Tirana Alternativë” në 500 foto
Përgjatë udhëtimit të tyre artistik ata përmes fokusit të një aparati fotografik kanë vëzhguar realitetin duke pasur si avantazh mosqenien banorë të kryeqytetit. Kjo ndjesi e këndshme e vëzhgimit të një vendi krejt të huaj, për ta është një ndjesi që e kanë në fakt të gjithë udhëtarët që vijnë dhe vizitojnë një vend të huaj siç ishte Shqipëria për ta. U mrekulluan me realitetin që i rrethonte, ndoshta dhe për faktin se nuk arrinin ta kuptonin deri në fund atë. Qytetet, plazhet, martesat, projektet e mëdha për të ardhmen dhe gjurmët e së kaluarës, etj…të gjitha këto të dokumentuara në teknikën e fotografisë nga një grup artistësh të huaj, janë prezantuar në galerinë “Zeta” nën titullin “Tirana Alternativë”. Ekspozita, kuruar nga Claudia Zanfi (drejtore e AMAZElab Milano) dhe artisti shqiptar Edi Muka (bashkëdrejtor dhe kurator i TICA - Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë), është pjesë e projektit Arkipelagu i Ballkanit, e ideuar nga Claudia Zanfi dhe të realizuar në bashkëpunim me Zyrën e Kulturës të Komunitetit Europian. Në ekspozitën e tyre të parë personale në Tiranë, me titull “Tirana Alternative”, grupi ndërkombëtar i artistëve paraqet “Tiranën Alternativë” në rreth 500 foto polaroid, të realizuara nga artistët gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, në një udhëtim të realizuar në vitin 2010. Një mori fotosh të marra me një teknikë risore na shfaqin imazhe nga qytete, plazhe, pamje marramendëse, kampe pushimi, dasma, situata të përditshme apo dhe intime, që tregojnë për njerëz dhe jetë, për planet e mëdha që ata kanë për të ardhmen e tyre, përzier me gjurmë nga e kaluara. Të gjitha këto së bashku shpalosin një gjurmim origjinal të territorit dhe një portret të përzemërt të vendit, të parë përmes syve të vetë banorëve të tij. Ekspozita “Alternative Tirana”, një prezantim me foto i transformimit në vite të kryeqytetit, është çelur në galerinë “Zeta” në Tiranë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 korrik. Sipas kuratores Zanfi, ekspozita me fotografi tregon sesi është transformuar Shqipëria, si është modernizuar ajo, por që tregohet përmes fotove të vjetra polaroid. Ajo dhe artistët e kanë parë Tiranën si një qytet që ka dëshirën e madhe të transformimit dhe të modernizimit, që paraqet një kaos estetik, por me shumë dinamikë për zhvillim. Ata janë ndalur me aparatin e tyre në ballkone apartamentesh, në parqet e pakta të kryeqytetit. Kanë takuar njerëz e kanë folur me ta, për të sjellë të plotë pamjen e një kryeqyteti që, siç shprehen ata, paraqet një kaos estetik. Kjo ekspozitë, si pjesë e projektit “Arcipelago Balkani”, përveç Tiranës do të ndalet edhe Shkup dhe në Sarajevë, për të pasqyruar transformimin e këtyre qyteteve në kohë. Alterazioni Video është një grup artistësh i themeluar në Milano më 2003. Pjesë e tij janë artistë nga Serbia, Sllovenia, Ukraina, Italia, Bosnja, Austria, Rumania, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Republika Çeke, Moldavia, Bjellorusia, Maqedonia dhe Shqipëria. Dy artistët shqiptarë të këtij grupi ndërkombëtar artistësh janë Edi Hila dhe Driant Zeneli. Ky grup ka qenë i pranishëm në shumë ekspozita, përfshirë Bienalen e 52-të të Venecias, Manifesta 7 (Rovereto), Performa 09 (New York), Fondacioni Sandretto Re Rebaudengo (Torino) dhe Moderna Galerija (Ljubljana).