E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, Basha 76 vota para, sot mbyllet numërimi

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi dje në orët e vona të mbrëmjes numërimin e fletëve të hedhura gabim në kutitë e njësive bashkiake nr.8, 9 dhe 10. Nga numërimi i tyre rezulton se në garën për Bashkinë e Tiranës vijon të jetë në avantazh kandidati demokrat, Lulzim Basha me 76 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama. Sot pritet që KQZ-ja të përfundojë procesin e numërimit të fletëve të kontestuara me njësinë e fundit bashkiake, atë me nr.11.

Mbledhja e djeshme e KQZ-së, ashtu si dhe në ditët e kaluara, është karakterizuar nga debate të ashpra mes përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të së djathtës në këtë institucion. Replikat më të ashpra kanë qenë për 4 kuti, të cilat rezultonin të thyera. Sipas administratës së KQZ-së, thyerja ka ndodhur në ambientet e këtij institucioni dhe se nuk e kishte konstatuar.

Nga ana e tyre, juristët e PS-së, Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji deklaruan se këto katër kuti nuk duhej të merreshin në konsideratë në numërim, sepse ato kuti kanë ardhur të thyera në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor urdhëron që të numërohen fletët në kutitë e pathyera. Në replikë me kolegët e tij socialistë, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Niazi Kosovrasti tha se thyerja mund të ketë ndodhur për shkaqe të transportit. Ai kërkoi të bëhet hetim dhe nëse fletët në kuti përputhen me numrin që është në tabelat e rezultateve, atëherë të numërohen.

Nga 1940 kuti të procesit zgjedhor për Tiranën janë 1793 kuti që do të hapen për të rinumëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Mbi bazën e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është urdhëruar nga Kolegji që të shpallë më pas tabelën përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë Tiranë. Partia Socialiste ka paralajmëruar se nuk do ta njohë rezultatin që pritet të shpallë KQZ-ja, pasi sipas saj, ai është i manipuluar. Kjo pritet të sjellë thellimin e ngërçit politik mes palëve, që ka filluar qysh pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›