E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana Cup 2006, AMC, më pranë gjysmëfinales

Turneu i minifutbollit, "Tirana Cup 2006", që po zhvillohet në kryeqytet midis skuadrave të insticioneve të ndryshme shtetërore dhe private dhe që ka tërhequr një vëmendje të konsiderueshme, ka hyrë tashmë në fazën e tij më interesante, pasi, ndonëse janë luajtur mbrëmë ndeshjet e katërta në grupe, gjithcka mbetet e hapur përsa i përket përcaktimit të katër skuadrave që do të vazhdojnë më tej në gjysmëfinale.
Gjithsesi, ajo që është e sigurt, është se një nga këto skuadra ka të ngjarë të jetë ajo e AMC-së, e cila ka mposhtur mbrëmë DHL-në me rezultatin 5-1 dhe do t'i mjaftojë edhe barazimi me Ministrinë e Financave, në ndeshjen e fundit, për të siguruar edhe matematikisht vendin në gjysmëfinale. Ndërsa Ministria e Financave, e cila mbrëmë shpartalloi Union Bank, me rezultatin 7-1, do t'i duhet gjithashtu të përballet me një betejë të dytë, pasi me 9 pikë, në ndjekje të AMC-së kryesuese, është edhe Western Union, e cila mposhti të martën Raifeissen Bank, me rezultatin 5-1, dhe mban vendin e dytë, për shkak të një bilanci më të mirë në takimin e drejtpërdrejtë.
Ndërsa në grupin B, favorite është Banka e Shqipërisë, e cila kryeson me 10 pikë, pasi mundi të martën Bankën Popullore, me rezultatin 5-1, ndërsa ndjekësja më e afërt, Dogana, u ndal në një barazim 3-3 mbrëmë nga BKT-ja. Kjo e fundit mbajti kështu gjallë shpresat për kualifikim, por ndeshjen e fundit e ka me Bankën e Shqipërisë, duke kërkuar vetëm fitoren, ndërsa kësaj të fundit i mjafton edhe barazimi për të shkuar në gjysmëfinale. Pak më e favorshme është gjendja për Doganën, e cila do të ndeshet në raundin e fundit në grup me Stihl & Viking, që renditen të katërt, por që kanë përjetuar një "ringjallje" të admirueshme dhe vazhdojnë të ushqejnë shpresat, sado të vakëta, për një vend në gjysmëfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›