E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Elbasani 2-2: Dopio Duro i heq Elbasanit 20 mijë dollarë

Është pa dyshim lojtari më i mirë në Superligën shqiptari. Futbollisti që bën diferencën në kampionatin tonë. Ai që vendos me klasin e tij. Është Klodian Duro. Që për fat të keq apo të mirë sërish ndëshkon Elbasanin, skuadrën që e rriti si futbollist.
Tirana arriti një barazim të vështirë 2-2 me Elbasanin në kryeqytet, pikërisht në një mbremjë që e kërkoi me cdo kusht fitoren, jo vetëm për të nderuar legjendën bardheblu Arben Minga në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta, por edhe për të treguar se merkatoja e saj dimërore në shifrat e 100 mijë eurove dhe faza e kushtueshme përgatitore në Antalia të Turqisë i meritonin tri pikë në javën e parë futbollistike të vitit 2008.,
Elbasani, i frymëzuar nga deklarata bombastike e presidentit Arben Laze për një superpremio prej 20 mijë dollarësh dhe e udhëhequr nga një njohës i mirë i futbollit bardheblu, si trajneri Krenar Alimehmeti, kaloi dy herë në avantazh me kapitenin Julian Ahmataj në minutën e 14-të dhe "arushën" Bejzade në të 64', por u ndëshkua edhe nga ndonjë pakujdesi e portierit të ri Irakli Toci.
Ishte mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro ai që u kujdes që Tirana të mos pësonte humbjen e dytë rresht, pas asaj me Vllazninë (4-1) para pauzës dimërore. Duro shënoi nga pika e bardhë (48') nga një penallti e fituar nga Daniel Xhafaj të dhënë nga Sazan Velcani, gjyqtari i kontestuar ashpër përmes medias nga sekretari i Tiranës, Shkëlqim Muca. Një penallti e kontestuar jo pak nga futbollistët e Elbasanit dhe stafi teknik. Bejzade kaloi sërish verdheblutë në avantazh, por sërish klasi i Klodian Duros, rivendosi ekuilibrat në minutën e 70-të dhe ndarjen e pikëve. Për Klodian Duron dy golat e shënuar ndaj ish-skuadrës së tij e ngjitën në kuotën e nëntë golave, ndërkohë që Bejzade u ngjit në kuotën e tetë golave.
Tirana humbi terren ndaj Dinamos kryesuese tashmë me 11 pikë më shumë, ndërkohë që u ngjit në vend më lart, në ta katërtin.
Ndeshja e 130 midis dy ekipeve prodhoi barazimin e dytë në këtë sezon (faza e parë u mbyll 1-1, gola të Bejzades dhe Duros), ndërkohë që ishte i 35-i historik midis dy prej klubeve më të vjetra në Shqipëri. Tirana ka në bilancin e saj 66 fitore, ndërsa Elbasani 29.
Në javën e 19-të Tirana do të përballet në transfertë me Kastriotin, ndërsa Elbasanin e pret një sfidë shumë e vështirë në kryeqytet me Dinamon kryesuese.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 18
REZULTATET
Kastrioti-Vllaznia 3-1
Skenderbeu-Partizani 1-2
Besa-Dinamo 0-2
Flamurtari-Shkumbini 0-0
Teuta-Besëlidhja 2-0
Tirana-Elbasani 2-2
RENDITJA
1 Dinamo 40
2 Partizani 34
3 Elbasani 31
4 Tirana 29
5 Vllaznia 28
6 Besa 27
7 Shkumbini 25
8 Kastrioti 23
9 Flamurtari 22
10 Teuta 15
11 Besëlidhja 12
12 Skënderbeu 8

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›