E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana-Laçi, duel për vendin e tretë

Kampionati

Gjysma e skuadrave elitare do të zbresin sot në fushë, për pjesën e parë të takimeve të javës së 22-të të Kategorisë Superiore. Dueli më interesant, të paktën në letër, është ai që do të luhet në kryeqytet ndërmjet Tiranës dhe Laçit. Bardheblutë kërkojnë t’i japin fund ecurisë negative, ku në dy javët e fundit kanë pësuar po kaq humbje (me Vllazninë dhe Shkumbinin). Por, përballja bëhet edhe më interesante prej ecurisë së kundërshtarëve në këtë fazë të dytë të kampionatit: në gjashtë javët e fundit, skuadra e drejtuar nga Stavri Nica ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime, njëri prej të cilëve me Dinamon kryesuese. Duke përfituar edhe nga hapat e shumtë falsë të skuadrave të tjera, laçianët kanë arritur të ngjiten në vendin e katërt në klasifikim dhe ndodhen vetëm 1 pikë larg Tiranës. Pra ndryshe, ndeshja e sotme mund të përkthehet edhe si një betejë për vendin e tretë, i cili siguron “biletën” e fundit europiane nëpërmjet Superiores. Mjaft interesante është edhe ndeshja në Kavajë, ku Besa do të presë fqinjët e Teutës. Verdhezinjtë e Shpëtim Duros kërkojnë të konsolidojnë pozitat në vendin e dytë, ndërsa për durrsakët një rezultat pozitiv do të thotë ruajtje e ritmit në zonën e mesit të tabelës dhe largim nga lufta për mbijetesë. Takimi i fundit i së shtunës është ai që do të zhvillohet në Ersekë, ku Gramozi pret Vllazninë, në një ndeshje ku tri pikët janë të detyrueshme për të dyja ekipet.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›