E Diel, 1 Nëntor 2026

45 piktorë ekspozojnë të frymëzuar nga peizazhet e Vangjush Mios



Petrika GROSI
Rreth 45 piktorë, shqiptarë e të huaj, të cilët pasi janë mbledhur në Korçë këtë javë dhe janë frymëzuar nga punët e piktorit të shquar Vangjush Mio, por edhe nga peizazhet e rrethinave të qytetit, çelën një ekspozitë të përbashkët në galerinë “Guri Madhi”. Ekspozita, që është çelur këto ditë, përmban 120 tablo të bëra nga artistët pjesëmarrës në të. Ky aktivitet ndërkombëtar organizohet në kuadrin e “Ditëve të Mios”. Siç tregojnë organizatorët e ekspozitës, artistët e përzgjedhur janë nga vende të ndryshme si Kosova, Maqedonia, Greqia, Zvicra, Rumania, Austria, Japonia etj. Të gjithë artistët e ekspozitës kanë vendosur që secili prej tyre t’i dhurojë galerisë së re në Korçë, që mban emrin e piktorit të njohur Guri Madhi, një prej punëve të veta. Duke qenë se frymëzimi i këtyre piktorëve ka qenë mjedisi korçar dhe punët e piktorit Vangjush Mio, edhe natyra e punëve të tyre do të ishte në pjesën më të madhe peizazhi.
Ky aktivitet i përmasave të tilla zhvillohet për herë të parë dhe synon shndërrimin në një traditë të përvitshme, në nderim të piktorit Mio. Voskopoja, Drenova, Liqenasi, Vithkuqi e Boboshtica kanë qenë vendet ku piktorët janë frymëzuar për të ndërtuar peizazhet e tablove të tyre.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›