E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA: “Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara”



Dash Frashëri

Shqipëria ishte në fokusin e një specialeje të FIFA-s, të publikuar në versionin on-line të qeverisë së futbollit botëror e me një titull shumë të ngrohtë e ambicioz: “Shqipëria bën hapa të mëdhenj përpara”.
STARTI - “Vala e trajnerëve të talentuar holandezë ishte shumë e dukshme në Euro 2008, ku mjeshtër “made in Holand” si Marko Van Basten, Leo Benhaker e Gus Hidink udhëhoqën respektivisht Holandën, Poloninë e Rusinë. Një tjetër “bos” holandez i famshëm, Ari Han, është duke futur këto cilësi te ekipi i tij shqiptar nga fillimi i këtij viti, duke arritur rezultate shumë premtuese”, - shkruhet në faqen e institucionit më të rëndësishëm futbollistik botëror. Shqipëria bëri një start të pabesueshëm në katër ndeshjet e para: 5 pikë, kur i ka hequr nga dy pikë në çdo ndeshje dy gjigantëve të futbollit europian e botëror, Suedisë në Tiranë (0-0) e Portugalisë në Bragë (0-0). Duke lënë mënjanë humbjen e pranueshme me Hungarinë në Budapest (2-0) e fitoren me Maltën në Tiranë (3-0), duhet pranuar një fakt i pamohueshëm: trajneri holandez Ari Han po ecën në gjurmët e paraardhësit të tij, kroatit Oto Bariç.
PROVË - “59-vjeçari, - vazhdon fifa.com, - në krye të një ekipi të një vendi prej 3.2 milionë banorësh, arriti të bëjë për herë të parë dy ndeshje rresht pa humbur në startin e kualifikueseve të një kompeticioni të madh. Djemtë e Hanit e hapën fushatën për një vend të Kampionatin Botëror ‘Afrika e Jugut 2010’ në grupin 1 me një barazim pa gola në shtëpi kundër Suedisë, të ndjekur me një fitore 3-0 kundër Maltës në të njëjtën fushë (‘Qemal Stafa’). Cinikët e panë humbjen 2-0 në Hungari si në provë e një lindje false, por trupa e Hanit i la pa gojë dyshuesit me një barazim të madh të jashtëzakonshëm jashtë fushe me Portugalinë”.
Ish-trajneri i Kinës e Kamerunit foli për gazetën më të madhe holandeze “De Telegraaf”, pas barazimit historik të Shqipërisë me Portugalinë: “Shqipëria është një skuadër e vështirë për kundërshtarët. Kemi ndaluar Portugalinë e Suedinë. Thjesht jemi ‘vrasësit’ e grupit. Kemi lojtarë të mirë, të cilët gradualisht do të jenë të rëndësishëm. Pësuam një humbje me Hungarinë, por arritëm ta kthenim situatën menjëherë në favorin tonë”.
Han është i kënaqur edhe me klimën e punës në Shqipëri, si dhe për ambientin në vendin tonë. Holandezi në gjashtë ndeshje: 4 zyrtare e 2 miqësore ka arritur 2 fitore, 2 barazime e 2 humbje. Shqipëria ndeshjen e ardhshme do ta luajë kundër Maltës, që jo vetëm nuk ka marrë asnjë pikë, por ende nuk ka shënuar qoftë edhe një gol të vetëm, 11 gola të pësuar.
IMAZHI - “Shqipëria duket se ndodhet në kufirin e heqjes së imazhit që e ka konsideruar për një kohë të gjatë si një nga ekipet më të vogla në Europë”, - shkruan organizmi botëror në specialen e tij. Han ka përgjigjen e tij, ku dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë. “Nuk është gjë tjetër, veçse një fillim i mbarë, por shpresojmë se diçka do të ndërtojmë”.
Vështrimi i tij optimist për të ardhmen është reflektuar edhe në renditjen e fundit të “FIFA”-s, apo siç njihet zyrtarisht “FIFA/Coca-Cola World Ranking”. Për të pasqyruar “vrapimin pozitiv”, Shqipëria u ngjit 19 vende e tashmë ndodhet në vendin e 83-të në këtë renditje, “në kërcim bretkose” i njëllojtë me atë të Togos, që ishte mjaftueshëm e mirë për të qenë në finalet e Kampionatit Botëror “Gjermani 2006”, vëren editoriali i FIFA-s.
RINGRITJA- Shqipëria ka rezultate modeste në ndeshjet ndërkombëtare, por duke shtuar 64 pikë në shtator, duke rifituar sërish një vend në Top-100. Kjo përfaqëson “a major rebound” (rikthimin më të madh) pas rrëshqitjes më të keqe mujore në histori, nga vendi i 82-të në të 100-in në korrik, dhe duke “u mbytur” pak nga pak në “ujë” në të 101-in e në të 102-in në muajt pasardhës. Ridalja në breg nisi muajin e kaluar, teksa formacioni i Hanit “u përpi nga një dallgë” e madhe në renditje, duke fituar 20 vende ashtu si në korrik 2006.
ËNDRRA - Kualifikimi për në turne të madh, siç është vitrina globale në Afrikën e Jugut, kur duhen edhe më pak se dy vjet, qëndron ende një ëndërr, të paktën sipas asaj që deklaroi fantazisti Ervin Skela, i cili kishte folur disa kohë më parë ekskluzivisht për fifa.com. “Natyrisht, - pohoi atëherë Skela, - ne jemi pak të mangët në eksperiencë e kualitet. Të bësh ndeshje të mira në nivelin ndërkombëtar është një gjë, por të kualifikohesh në një turne të madh është një temë tërësisht tjetër. Shumë nga lojtarët tanë nuk luajnë në ligat e mëdha, kështu që ne e vendosim vetëm përballë më të mirëve, kështu që ne kemi nevojë urgjentisht për eksperiencë”.
Skela është një nga futbollistët e këtij grupi, që luan jashtë dhe në të vërtetë përfiton nga shansi për të testuar aftësitë e tij në një nivel të lartë javë pas jave. 31-vjeçari i talentuar kontribuon në Bundesliga për Energi Kotbusin, por më parë ka luajtur edhe për Eintrahtin e Frankfurtit, Kaiserslauternin dhe Askolin. Skela e di se fushata aktuale kualifikuese ofron një mundësi të madhe për vendin e tij të bëj një goditje të madhe në botën e futbollit. “Ne jemi nga ana e viktimave, por ne jemi shumë komod me këtë rol”, - komentoi Skela për fifa.com.
Skela, i cili ka 55 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare (9 gola), e vlerëson Hanin si trajnerin perfekt për djemtë nga Ballkani. “Ai ka një eksperiencë të madhe dhe ai ofron shumë besim”. Ndoshta fushata dinake mund të ofrojë shumë surpriza në rrugën e gjatë drejt Afrikës së Jugut. Por një fakt është kokëfortë, shqiptarët janë në një nivel pikësh me Portugalinë e fuqishme në këtë fazë të fushatës. Han dëshiron të jetë bosi i parë holandez që organizon një nga sensacionet më të mëdha në futboll thuajse nga outsajder.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›