E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i Bashkisë, lagjet që do të shtohen me 400 mijë banorë



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës, në zbatimin e projekteve për planin rregullues të Tiranës, do të krijojë mundësinë për më shumë ndërtime dhe banorë që do të strehohen. Sipas Bashkisë së Tiranës, pritet që të sigurohet strehim për rreth 400 mijë banorë të rinj, duke dendësuar lagjet ekzistuese në masën 1800 hektarë tokë, që janë territore në zhvillim. Këtë herë ndërtimet nuk do të jenë pa kriter, por brenda një planimetrie të saktë dhe brenda rregullave të zhvillimit urbanistik të një kryeqyteti të madh. Shtimi i ndërtimeve bëhet për shkak se rritja e popullsisë pritet të arrijë shifra të larta nga viti në vit. Gjithçka është bërë e ditur nga kryebashkiaku Edi Rama, pak kohë më parë, gjatë prezantimit të Planit Rregullues të Tiranës.
Shtimi
Shtimi i popullsisë së kryeqytetit lidhet ngushtë me disa faktorë, të cilët kanë pasur ndikim të madh vitet e fundit. Një ndër faktorët kryesorë është dyndja e bizneseve në kryeqytet dhe mundësitë më të mëdha të jetesës. Mundësitë për punësim dhe për shkollimin e fëmijëve janë më të larta dhe kjo krijon shpërnguljen e popullsisë nga zonat rurale, apo rrethet e largëta të vendit drejt Tiranës. Madje, një studim të Bashkisë për rritjen demografike të kryeqytetit deri në 2019-n tregon se pritet një trefishim i numrit të popullsisë. Numri i popullsisë së Tiranës pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1.5 milionë banorë. Specialistët kanë vlerësuar se rritja e popullsisë së Tiranës në një vit është më e madhja në botë. Zhvillimi i madh që ka marrë kryeqyteti shton problemet e strehimit dhe synon nxitjen e një zhvillimi më të madh ekonomik. Njëkohësisht në studim janë përcaktuar edhe format e kësaj rritjeje, ku gjithçka është e përcaktuar me shifra, duke filluar që nga rritja natyrore, migrimi, çështja ekonomike etj.
Kryeqyteti
Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian do t’u nënshtrohen një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe. Projekti i Bashkisë parashikon që në këtë pjesë të Tiranës të bëhet një ndërhyrje e thellë, ku të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, ato që pengojnë për zbatimin e projektit. Edhe qendra e qytetit do të preket nga disa ndryshime, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë qarkullim të automjeteve. Prioritet do të kenë këmbësorët dhe të gjithë ata që kërkojnë të lëvizin me biçikleta.

Zonat që do të preken më shumë nga projekti

Zonat më të prekura nga ndryshimet kanë një shtrirje, që nis nga qendra e kryeqytetit dhe në periferitë e tij. Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe prek atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Tjetër zonë që do të preket është ish-fusha e aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj. Ndërsa përsa i përket pjesës së Kamzës, do të bëhet një punë voluminoze për shkak të mjaft ndërtesave pa leje të ndërtuara në çdo cep të kësaj pjese të Tiranës. Kjo zonë do të ketë disa qendra tregtare dhe rrugë apo rrugica të detajuara në bazë të planifikimit urban që do të bëhet nga projekti për zonën. Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe pjesa e Bregut të Lumit, ku tani është kthyer në një “karantinë” banesash të vogla, që strehojnë të pastrehët e kryeqytetit.

Ndryshimet që do të pësojë qendra

Qendra e Tiranës do të jetë pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila do të ruajë elementët e saj tradicionalë, por do të pësojë disa ndryshime përsa i përket qarkullimit të kontrolluar të makinave. Në këtë zonë lëvizja e automjeteve do të minimizohet dhe do të kthehet në një zonë për kalimin e këmbësorëve dhe lëvizjes me biçikleta. Kjo qendër do të ketë mundësinë e krijimit të një korpusi universitar. Pjesë e rëndësishme e projektit është krijimi i Lumit të Lanës në një park me pemë dhe gjelbërim më të madh se ai aktual. Kjo është cilësuar nga bashkia si një pjesë e rëndësishme dhe unike për vetë faktin se lumi kalon përmes qendrës së qytetit, e cila i jep pamje mjaft të bukur qytetit. Prioritet do t’u jepet objekteve me vlera historike dhe arkitektonike në pjesën e vjetër të zonave të Tiranës, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore. Projekti i rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” synon rivitalizimin jo vetëm të sheshit dhe të perimetrit përreth tij, por edhe restaurimin e simboleve historike të Tiranës, si Xhamia Etem Beut, Kulla e Sahatit si dhe Ndërtesa e Sahatçiut.

Stacioni i Trenit

Pjesë te Stacioni i Trenit dhe Blloku i Magazinave - vijim i bulevardit, zonë polifunksionale
Reparti ushtarak dhe zona te Antibiotiku – kampus universitar, zonë kërkimesh shkencore dhe zone mikse

Hekurudha
Krijimin e parkut gjatë shinave të trenit, kalimi nën tokë i hekurudhës, për të lehtësuar lidhjen organike, midis lindjes dhe perëndimit dhe lidhjen e gjelbër midis qendrës e Parkut të Paskuqanit.
Mundësi zgjerimi të shërbimeve spitalore, akses më i lehtësuar në këto territore (zgjerim te ish-uzina “Partizani”)

Zona e Kinostudios
Fuqizimi me aktivitete i polit kulturor ekzistues në Kinostudio
Zgjerim drejt veriut të Varrezave të Tufinës – (rezervim toke)
Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhje e tyre me transportin publik

Zona industriale
Transformim i ish - zonave industriale të degraduara në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj).

Te Bregu i Lumit parashikohen të ndërtohen
Ndërtesa të reja
Rrugë të reja
Qendra tregtare

Qendra e Tiranës
Rrugë për këmbësorët dhe për biçikletat
Korpus universitar
Shtim të hapësirave të gjelbra në sheshe

Lumi i Lanës
Kthehet në park me shtimin e pemëve dhe gjelbërimit

Ish-Fusha e Aviacionit (pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit)
Park me hapësirë të gjelbër, me pemë, bar, stola dhe lodra për fëmijët

Zhvillimit të njësive rreth e rrotull Tiranës
Kashari
Farka
Dajti
Paskuqani

Unaza e Madhe

Unaza e Madhe, që nis që nga Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Projekti kalon në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›