E Diel, 1 Nëntor 2026

Orikum, pronarët: Toka jonë jashtë përplasjes politike

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Pronarët e tokës në Orikum kërkojnë publikisht shmangien e tyre nga politika. Pas protestave të ndodhura në Orikum, ata kanë bërë një tjetër deklarim në lidhje me sqarimin e pozicionit të tyre e sidomos të emrit të përfolur Selmanllari si një nga bashkëpronarët. Sipas pronarëve, ata kanë të drejtën e pronësisë qysh në vitin 1880, ndërsa kanë mundur ta marrin pronën në vitin 1994. “Kemi të gjithë dokumentet e rregullta, kemi gjithçka të faktuar prej dhjetëra dekadash”, pohon Sadik Sinanaliaj, një prej pronarëve mbi truallin. “Banorët nuk kanë punë me ne. Gjithçka e zgjidh gjyqësori dhe ne jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi çdo ftese për të vënë në dispozicion dokumentet tona. Ne madje i kemi vënë ato në dispozicion të të gjitha instancave përkatëse shqiptare. Banorët kanë punë me shtetin, nëse ka shteti faj, ai të rregullojë marrëdhëniet me ta”, thotë ai. Sinanaliaj shprehet se bashkë me pronarët e tjerë, indinjohen kur përfliten pronat e tyre në një lidhje me Selmanllarin. “Ne atij i kemi bërë një akt shitjeje qysh në vitin 2007. Ne jemi pa precedent penalë, ai është po kështu. Është shok i ngushtë me nipin tim dhe brenda të gjithë kornizave ligjore kemi bërë akt-marrëveshjen e shitblerjes. Ne jemi qytetarë të lirë dhe kemi të drejtë të shesim, të blejmë, në bazë të gjithë dispozitave që lejon ligji. E dinë të gjithë që ato kanë qenë pronat tona. E dinë gjithashtu që ato na takojnë dhe kemi për këtë gjithë bazën e duhur të dokumentacioneve”. Mësohet se 2 vjet më parë, Selmanllari ka blerë një sipërfaqe 3 mijë metër katrorë, nga 17.400 m2 që pretendohet të ketë qenë pjesë e ish-NB-së. Gentjan Sinanaliaj, tjetër pronar toke, pohon se kanë vepruar konform të gjithë rregullave. “Kemi kohë që luftojmë për këtë tokë dhe akoma s’po gëzojmë frytet e saj. Nuk duam as t’i hyjmë politikës, as të përdoremi për hir të saj. Jemi në të drejtën tonë dhe jemi të gatshëm të përballemi kudo për këtë”.

Selmanllari:“Prona ime, sipas ligjit”

Rahman Selmanllari, emri i të cilit rezulton pronar i një sipërfaqeje toke në Orikum, me anë të një deklarate për mediat sqaron se ka vepruar konform ligjit në çdo hap të kryer. “Kam blerë tokë të certifikuar si të lirë e të rregullt në hipotekë e për të cilën brenda ligjit kam paguar paratë si dhe kam lëshuar apartamente në Tiranë në përfitim të pronarëve të tokës”. Ai thotë se pronën ia ka dhënë për ndërtim një kompanie ndërtimi dhe disponon çdo dokument, duke e quajtur manovër politike përfshirjen e emrit të tij në këtë konflikt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›