E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri, Topi: Besoni te shteti

 

ADI SHKEMBI

Në prag të diskutimit në Parlament, Presidenti Bamir Topi flet për herë të parë për marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez, Lazlo Solyom, kreu i shtetit i bëri thirrje qytetarëve të kenë besim tek institucionet shtetërore, por shtoi se më parë duhet të flasin Gjykata Kushtetuese dhe Parlamenti. “Si President ju bëj thirrje që brenda kësaj ndjeshmërie duhet të keni besim tek institucionet e shtetit shqiptar, sepse ato do të dinë të përmbushin me shumë luajalitet misionin e tyre, i cili në kontekste të tilla konsiderohet si një mision historik. Unë nuk mund t’ju them diçka definitive sot, sepse ende ka një proces që nuk është finalizuar, ka dhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, por ka edhe një procedurë në vazhdim që është në Parlamentin shqiptar”, u shpreh Topi. Por ndërsa bëri thirrje për qetësi, kreu i shtetit premtoi se marrëveshja do të monitorohet në çdo detaj të saj, teksa shtoi se çdo lëshim në këtë drejtim do të ishte përgjegjësi historike. “Sot ka kaluar edhe ajo mendësi arkaike për të matur me metër. Kush më shumë sesa vendet e NATO-s kanë teknologjinë më të lartë të përcaktimit edhe me milimetra? Do të jetë një proces i monitoruar me imtësi. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të jenë të qetë në të gjitha zgjidhjet institucionale, sepse do të jenë zgjidhje shumë korrekte që edhe në versionin më të papranueshëm ndokush do të merrte mbi supe përgjegjësi historike”, vijoi më tej kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë kreu i shtetit tha se megjithë besimin te institucionet duhet të ketë transparencë të plotë mbi këtë marrëveshje. “Përtej besimit duhet të ketë një marrëdhënie transparence të plotë me marrjen në konsideratë të ekspertizave në institucione, duke na bërë që të jemi të qetë që në aktin final ne të jemi plotësisht me të drejtat tona, konform rregullave, të cilat janë ratifikuar dhe nga Parlamenti shqiptar përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtar që kanë të bëjnë dhe me ligjet e detit”, u shpreh më tej Topi. Ekspertët e qeverisë kanë sqaruar javët e fundit detajet e marrëveshjes, duke iu përgjigjur pretendimeve të një koloneli në rezervë, i cili pretendonte se palës greke i janë bërë lëshime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›