PS: Selmanllari, sekser i Shkëlzen Berishës
Partia Socialiste deklarohet në mbështetje të protestuesve në Orikum. Saimir Tahiri pohoi dje se toka e tyre është grabitur nga njeriu i familjes Berisha, Rahman Selmanllari dhe i bëri thirrje prokurorisë të nisë hetimet për skandalin me pronat në Orikum. “I bëjmë thirrje Prokurorisë të fillojë menjëherë hetimin për këtë skandal, duke vënë para drejtësisë përgjegjësitë e tij, pavarësisht postit të tyre apo gjendjes familjare”, tha deputeti socialist. “Ky dokument tregon qartë se investitori që ka zaptuar tokat e banorëve në Orikum, nuk është një njeri çfarëdo, por është vetë Rrahman Selmanllari, sekseri më i ngushtë i Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës. Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut ka vjedhur tokat e banorëve të Orikumit dhe ka përdorur pushtetin e kryetarit të FAMILJES për të siguruar të drejtën e investimit, duke shtypur me dhunë protestën e tyre të ligjshme nëpërmjet Policisë së Shtetit”, u shpreh Tahiri, duke treguar një listë investitorësh në pronat e Orikumit. Sipas tij, përdorimi dhe dhuna e policisë tregon lidhjen e familjes së kryeministrit me këtë aferë. “Është kjo arsyeja pse protestës së banorëve të vjedhur të Orikumit, Policia e Shtetit, tashmë e kthyer në një bandë private nga Lulëzim Basha, iu përgjigj me dhunën e shkopave të gomës për të mbrojtur biznesin e radhës të Rrahmanit, Shkëlzenit e Saliut”, tha deputeti socialist.