E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio u kërkon përqendrim lojtarëve: Mendjen te Bylisi!

Nga Erjon SALIU 

Trajneri spanjoll Hulian Rubio Sançez, pas fitores me Shkumbinin, u kërkon të tijve të shohin përpara. Konkurrenca në sulm e ngroh spanjollin

Trajneri spanjoll i Tiranës, Hulian Rubio Sançez, pas dy ndeshjeve që ka zhvilluar skuadra e tij brenda katër ditëve, me Vllazninë për kampionat në Loro Boriçi, ku Tirana barazoi 2-2 dhe me Shkumbinin për Cupe, ku kryeqytetasit fituan 3-1, tashmë është përqendruar te kampionati. Rubio kërkon medoemos që ti rikthehet fitores, duke filluar që nga ndeshja e kësaj jave me Bylisin në Qemal Stafa. Para mediave, trajneri spanjoll ka pohuar: Ndeshja me Shkumbinin ka qenë e shëmtuar, por ne tashmë duhet të shohim përpara. Më gëzon fakti që janë të gatshëm për ndeshjen e fundjavës pothuajse të gjithë lojtarët. Me Bylisin ne do të synojmë vetëm fitoren, pavarësisht se është një kundërshtar me vlera, që vjen nga një humbje në shtëpi javën e shkuar, por ka bërë lojëra të mira deri më tani, duke qenë dinjitozë edhe në transfertë. Synimi ynë do të jetë marrja e tri pikëve për tu rikthyer sa më shpejt në krye, – u shpreh fillimisht trajneri spanjoll i kryeqytetasve, Rubio.

Sulmi Pa dyshim që skuadra e Tiranës në këto javë që kanë kaluar deri më tani është paraqitur kompakte dhe dinjitoze, madje jo vetëm në shtëpi, por edhe në transfertë dhe aq më tepër ndaj rivalëve si Kastrioti apo Vllaznia. Por trajneri Rubio duket se ka mbetur i kënaqur nga vlerat dhe golat që kanë shënuar dy sulmuesit Bala dhe Morina. Të dy, sipas Rubios, e kanë rritur ndjeshëm konkurrencën në repartin ofensiv: Si Bala ashtu dhe Morina, pavarësisht moshës, janë lojtarë me perspektivë, por që po e ndihmojnë shumë skuadrën. Mua si trajner më vjen mirë që në sulm ka konkurrencë, duke rivalizuar për një vend titullari dy lojtarë cilësorë. Madje do të isha edhe më i kënaqur në qoftë se do të kisha edhe alternativa të tjera.

Përgatitjet Bardheblutë nuk do të bëjnë pushim pas ndeshjes së kupës, duke qenë se të dielën, në orën 14:00, kanë ndeshjen me ballshiotët në Qemal Stafa. Pavarësisht se dje Rubio aktivizoi thuajse të gjithë titullarët, sot pasdite do të zhvillojë seancën e radhës në Skënder Halili. Deri një ditë para ndeshjes me Bylisin, bardheblutë do të përgatiten me një seancë në ditë.

Devi Muka ndjek Tiranën nga tribuna

Kishte muaj që nuk dukej në stërvitje, por edhe në stadium, por dje, krejt në mënyrë të befasishme, në Selman Stërmasi në zyrën e klubit është parë kapiteni legjendar i Tiranës, Devi Muka. Ky i fundit ndodhej nën shoqërinë e miqve të tij dhe shefit të klubit, Alban Tafaj. Më pas, sapo ka filluar ndeshja, Devi Muka, së bashku me sponsorin e Tiranës, Refik Halili, dhe prefektin Keltis Kruja e kanë ndjekur ndeshjen nga tribuna e stadiumit Selman Stërmasi dhe gjatë gjithë kohës janë parë të bisedojnë me njëri-tjetrin. Kur ka përfunduar ndeshja, Muka është takuar me stafin dhe pjesën më të madhe të lojtarëve bardheblu dhe më pas është larguar. Një gjë është e sigurt, tashmë Devi Muka zyrtarisht është larguar nga futbolli dhe po merret me bizneset e veta private.

Sot mblidhet bordi i sh.a. Tirana

Ashtu siç ishte planifikuar, sot do të mblidhet për herë të parë edhe bordi i sh.a. Tirana. Ishte planifikuar që mbledhja e parë të bëhej dje por është shtyrë për shkak se ka munguar kryebashkiaku Lulizm Basha, për arsyet e veta personale. Sot bordi pritet të mblidhet dhe do të vendosen edhe pikat mbi i për mënyrën se si do të funksionojnë bardheblutë në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›