E Diel, 1 Nëntor 2026

Ideja Champions League me 64 skuadra

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka bërë të ditur se Konfederata Europiane e futbollit po shqyrton mundësinë e ndryshimit të strukturës së kupave të Europës.

Bëhet fjalë për një risi absolute, që do të sillte zgjerimin e Champions League, ku sipas projektit të paraqitur mendohet të marrin pjesë 64 skuadra.

Dyfishimi i numrit të ekipit pjesëmarrëse në aktivitetin më prestigjioz për klube pritet të aplikohet për sezonet 2015-2018, ndërsa ky ndryshim do të vinte seriozisht në pikëpyetje turneun tjetër të UEFA-s, Europa League.

“Po diskutohet për formatin e ri të aktiviteteve europiane brenda sezoneve 2015-2018. Për momentin nuk ka asgjë konkrete, vendimi për këtë çështje do të merret vetëm në vitin 2014”, ishte deklarata e Platini.

Ky ndryshim pritet të shoqërojë edhe zgjerimin e Kampionatit Europian në edicionin 2016, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, duke bërë që turneu të jetë gjithëpërfshirës dhe përfaqësueset e shumë vendeve në kontinent të kenë mundësi të luajnë në fazën finale.

Më tej, kreu i UEFA-s foli edhe për garën për “Topin e Artë 2012”, ku Lionel Messi cilësohet si favorit për ta fituar trofeun prestigjoz për të katërtën herë radhazi, duke vendosur edhe një rekord absolut.

“Rekordet janë bërë për tu thyer, përshëmbull Henry ka shënuar më shumë gola se unë me Francën. Nëse Messi e fiton për të katërtën herë nuk mërzitem që do të kalojë rekordin tim. Do të thotë që ai e ka merituar”, nënvijëzoi ish-legjenda e futbollit francez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›