E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Re, probleme me energjine elektrike

Sipas banorëve, problemet me dritat kanë nisur që në orët e para të mëngjesit. "Nuk e dimë se çfarë problemi ka pasur, por dimë vetëm që jemi mjeruar gjithë ditën" 

TIRANE-Tirana e Re ditën e djeshme ka pasur probleme me energjinë elektrike. Sipas banorëve, problemet me dritat kanë nisur që në orët e para të mëngjesit. "Nuk e dimë se çfarë problemi ka pasur, por dimë vetëm që jemi mjeruar gjithë ditën. Sepse çdo një orë apo 30 minuta energjia shkëputej, herë rrinte më gjatë pa ardhur, herë më pak. Nuk arrinim të bënim asnjë lloj pune. Normalisht duhet të ketë pasur ndonjë defekt", - sqaron një prej banorëve në pallatet e ashtuquajtura "Moskat". Ndërkohë që ankesa kanë pasur edhe shumë qytetarë të tjerë, pasi mungesa e energjisë u sjell probleme sidomos në pajisjet elektroshtëpiake, sepse nga shkëputjet e shpeshta ato dhe mund të dëmtohen. Por edhe sepse ushqimeve që rrinë në frigorifer u bën shumë dëm kur dritat herë vijnë e herë ikin, sidomos në këto temperatura të larta. "Jam me fëmijë të vogël në shtëpi dhe normalisht që me këto temperatura e kam të domosdoshme funksionimin e kondicionerit sepse duhet që të mbaj një ambient normal për fëmijën që të mos djersitet, sepse me këto viroza që qarkullojnë në vend ndihemi të kërcënuar", - tregon një tjetër banore e zonës. Ndërkohë që shqetësime ka edhe nga pronarët e dyqaneve apo bareve. "Frigoriferi shkrin menjëherë se temperaturat janë të larta. Ne tregtojmë dhe akullore e ëmbëlsira, normalisht që mungesa e energjisë nuk është ndonjë gjë pozitive. Kondicionerët nuk funksionojnë dhe normalisht që dhe klientët largohen, sepse kërkojnë ambiente të freskëta", - tregon një pronar lokali.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›