Kushtet dhe procedurat e marrjes në pronësi të oborreve
Eljona Ballhysa
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për kalimin në pronësi të pronarëve të oborreve para ndërtesave të ligjshme. Vendimi i qeverisë parashikon tjetërsimin e pronësisë pa paguar për oborret që janë në pronësi të pronarëve të ndërtesave të ligjshme dhe tjetërsimin e pronësisë së oborreve në pronësi të shtetit, duke paguar në bazë të çmimit të tregut. Të ardhurat që do të mblidhen nga ky proces do të kalojnë në fondin e kompensimit financiar për ish-pronarët. Me këtë proces do të merret Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kushtet për tjetërsim
Që një oborr të tjetërsojë pronësi duhet që brenda tij të gjendet ndërtim i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit, i ngritur para datës 10.8.1991, ose që janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore. “Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi, pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim, për shkak të ligjeve të kohës; me kundërshpërblim, në rastet e tjera”, bëhet e qartë në vendimin e qeverisë. Oborret në përdorim, që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi, nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave. Nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja oborret në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal.
Aplikimi
Të interesuarit, për të bërë tjetërsimin e pronësisë së oborrit duhet të paraqesin kërkesën pranë zyrës rajonale të AKKP-së. Bashkë me kërkesën duhet të paraqiten në dosjen e aplikuesit: dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja; genplani i oborrit në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar; dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja. Me anë të këtij dokumenti provohet se oborri në përdorim është në pronësi të shtetit, ndonëse i paregjistruar, dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore. Dokumentet që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, vendimi gjyqësor për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor. Dosja gjithashtu duhet të përmbajë dokumentin që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim.
Shqyrtimi
Zyra rajonale e AKKP-së shqyrton kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të saj. Ajo verifikon dhe pohon nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim që kërkohet të tjetërsohet. Në përfundim të shqyrtimit dhe brenda afatit 30-ditor, zyra rajonale ia përcjell dosjen zyrës qendrore të AKKP-së. Zyra qendrore e AKKP-së, në qendër, brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së dosjes, verifikon zbatimin e saktë të kërkesave të këtij vendimi nga zyra e AKKP-së në qark, në bazë të akteve të mbledhura në dosje dhe pa kryer vetë veprime verifikuese. Në përfundim, zyra qendrore njofton kërkuesin, sipas rastit, për: të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të AKKP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë; ose të drejtën e tjetërsimit pa kundërshpërblim, ose mospranimin e kërkesës për tjetërsim.
20 Shkurt 2009