Vendimi, si merret pronësia e tokës bujqësore, pas korrigjimeve të komisioneve vendore
Qeveria ka përcaktuar procedurat që duhen ndjekur për marrjen në pronësi të tokës bujqësore, pas korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë.
Sipas këtij vendimi, në rastet kur kërkohet korrigjimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi, pranë Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, kërkuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e ri pranë Komisionit. Konkretisht, qytetarët duhet të dorëzojnë kërkesën për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes bujqësore ose individi, në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi. Gjithashtu duhet të dorëzohet akti i marrjes së tokës në pronësi, në origjinal, së bashku me plan-vendosjen e ngastrës/ngastrave, të konfirmuar nga kryetari i komunës. Më tej lista e dokumentacionit vijon me dorëzimin e plan-vendosjes së ngastrës/ngastrave, që qytetari, sipas informacionit që ka, pretendon se është e pandarë, vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 1.8.1991, ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.10.1992. Për këtë, qytetari duhet të depozitojë shkresën nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për pagesën ose jo të pensionit, si dhe konfirmimin, cilido qoftë ai, e kryetarit të komunës për këtë fakt. Nëse, sipas informacioneve të mësipërme, nuk vërtetohet fakti i të qenit anëtar i ish-kooperativës bujqësore ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore, qytetari ka të drejtë të depozitojë, pranë Komisionit Vendor, çdo dokument që vërteton faktin e mësipërm. Pas dorëzimit të dokumentacionit, Komisioni Vendor do t’u kërkojë dokumente shtesë organeve vendore, si bashki dhe komune, seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në qark, si dhe Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në bazë të dokumentacionit të ri, të krijuar pranë tij, Komisioni vendos për korrigjimin ose jo të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
20 Shkurt 2009